Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kanë deklaruar në vazhdimësi se seanca do të thirret në momentin kur partitë politike të arrijnë një marrëveshje.
Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar më 7 gusht. Seanca konstituive ishte mbajtur më 6 gusht, por Kuvendi nuk ishte konstituuar. Vazhdimi i saj ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për të tretën ditë me radhë për bashkatdhetarët.
Gjatë një fjalimi në Kuvend, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se “po tenton ta zhbëjë shtetin e Kosovës”. Tahiri ka thënë se mandati i deputetëve buron nga vota e qytetarëve dhe se qëllimi i tyre është funksionalizimi i Kuvendit. “Neve mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë.
Me qëllim që ta mbrojmë kushtetushmërinë, me qëllimin që ta funksionalizojmë Kuvendin, përkundër kërkesës sonë nuk është thirrur vazhdimi i seancës andaj ne kemi vepruar drejtë dhe kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin në mënyrë që ta përcjellim si qëndrimin tonë. Ne do të vazhdojmë me qëndrime dhe aktivitete tona politike.
Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, tha Tahiri nga foltorja e Kuvendit. Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk do të lejohet, siç u shpreh ai, “dhunimi i së drejtës së qytetarëve”. “Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne që jemi këtu jemi të zgjedhur.
Bllokimi i kuvendit është cenim i sovranitetit, rendi kushtetues dhe demokracisë. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione”, ka thënë ai. Pak para se të dilnin nga salla, në Kuvend hynë edhe dy përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti Vigan Qorrolli sqaroi se ata ndodheshin në sallë për aktivitetin tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, i cili është organizuar nga Kuvendi.
Qorrolli tha se “aksioni” i organizuar nga opozita është brenda kornizave të lejueshme, por përsëriti qëndrimin e LVV-së se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike para vazhdimit të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.
Përfaqësues të PDK-së thanë se të gjitha partitë ishin ftuar të merrnin pjesë në sallë, por deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk u panë aty. Ndërkaq, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka deklaruar se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
