Transferimi i Fisnik Asllanit nga Hoffenheimi te Leipzigu ka dështuar pas problemeve të evidentuara gjatë kontrolleve mjekësore. Sulmuesi 24-vjeçar i Hoffenheimit ishte marrë vesh për çdo detaj me klubin gjerman, por rezultatet e ekzaminimeve mjekësore bënë që marrëveshja të ndërpritej.
Sipas raportimeve, marrëveshja parashikonte një investim prej 25 milionë eurosh, shumë që mund të arrinte deri në 30 milionë euro me bonuse, ndërsa Asllani do të nënshkruante kontratë deri në vitin 2031. Pas anulimit të transferimit, Hoffenheimi i ka dalë në krah futbollistit dhe nuk pritet ta lejojë largimin e tij për një shumë më të ulët se 25 milionë euro.
Dështimi i marrëveshjes me Leipzigun ka rikthyer në skenë klubet që kanë shfaqur interesim për përfaqësuesin kosovar. Në garë për sulmuesin janë Barcelona, Borussia Dortmundi dhe Tottenhami.
Barcelona rikthen interesimin Barcelona e ka ndjekur Asllanin gjatë gjithë afatit kalimtar të verës dhe situata e krijuar pas dështimit të transferimit te Leipzigu mund ta rikthejë atë në listën e prioriteteve të klubit katalunas.
Interesimi i “Blaugranëve” ishte lidhur edhe me operacione të tjera për përforcimin e repartit ofensiv, por nevoja për një sulmues qendre e bën Asllanin një opsion të rëndësishëm. Lidhja mes Asllanit dhe Barcelonës nuk është e re.
Sulmuesi kosovar e ka shfaqur publikisht admirimin e tij për klubin katalanas dhe në muajin qershor kishte publikuar fotografi të lidhura me fëmijërinë e tij dhe Barcelonën, në një periudhë kur po negocionte me Borussia Dortmundin. Edhe Dortmundi dhe Tottenhami në garë Borussia Dortmundi vazhdon ta monitorojë futbollistin.
Gjermanët e kishin identifikuar Asllanin si një alternativë për repartin ofensiv në rast të ndryshimeve në skuadër. Ndërkohë, sipas mediave angleze, situata e re mund t’i japë edhe Tottenhamit shpresë për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Hoffenheimit.
Klubi londinez e kishte ndjekur më herët Asllanin dhe tani, pas dështimit të marrëveshjes me Leipzigun, mund ta rishqyrtojë mundësinë për të bërë një lëvizje konkrete për të. Asllani e përfundoi sezonin e kaluar me 11 gola dhe 8 asistime në 35 ndeshje.
Vlera e kartonit të Fisnik Asllanit në faqen e specializuar Transfermarkt është 35 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2029. Ai njëherësh është futbollisti më i shtrenjtë dhe më i vlerësuar shqiptar i momentit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
