Shtatë punëtorë kanë humbur jetën të martën në një fabrikë çeliku në Zaporizhzhia, pas një sulmi rus ndaj qytetit juglindor të Ukrainës. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Rusia përdori raketa balistike të Koresë së Veriut, si dhe raketa hipersonike Zircon dhe bomba ajrore të telekomanduara.
Kompania mëmë e fabrikës Zaporizhstal, Metinvest Group, ka bërë të ditur se sulmi ndodhi në momentin kur punëtorët po drejtoheshin drejt strehimoreve pas aktivizimit të alarmit ajror. “Sulmi me raketë balistike ndodhi ndërsa punonjësit po shkonin drejt një strehimore menjëherë pasi u dha alarmi për sulm ajror”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Si pasojë e goditjeve, prodhimi në uzinë është pezulluar plotësisht, ndërsa objekte të tjera të dëmtuara po funksionojnë me kapacitet të reduktuar. Guvernatori rajonal Ivan Fedorov publikoi pamje të ndërtesave dhe automjeteve në flakë, ndërsa bëri të ditur se të paktën 24 persona kanë mbetur të plagosur.
Katër ndërtesa banimi janë dëmtuar, ndërsa nuk janë raportuar dëme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias. Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj goditën një uzinë metalurgjike në Zaporizhzhia, për të cilën pretendon se prodhonte çelik të përdorur nga ushtria ukrainase.
Rusia tha gjithashtu se kishte goditur kompleksin e kompanisë Nova Poshta në Kiev, të cilin e akuzon se përdorej për shpërndarjen e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentë për dronë dhe pajisje të luftës elektronike.
Sulmet vijnë pas një goditjeje me dron ukrainas në Nizhnekamsk, ku autoritetet ruse raportuan të paktën 13 të vrarë dhe 39 të plagosur, ndërsa Ukraina tha se objektivi kishte qenë rafineria e naftës TANECO. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!