Akademia e FIFA-s në Kosovë po vazhdon punën për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja të futbollit, me fokus të veçantë te vajzat e gjeneratave 2012 dhe 2013. Në fazën e radhës të programit janë përfshirë 19 futbolliste të reja, të cilat vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Ato janë përzgjedhur pas vëzhgimeve të zhvilluara gjatë muajit qershor në kuadër të procesit për identifikimin e talenteve në të gjitha Lidhjet Rajonale të Futbollit. Përmes këtij programi, pjesë e FIFA Talent Development Scheme , synohet që futbollisteve të reja t’u krijohen kushte të barabarta për avancim dhe përgatitje profesionale që në moshë të hershme.
Stërvitjet do të zhvillohen nën udhëheqjen e ekspertit të FIFA-s, Rainer Kraft. Programi përfshin punë të specializuar në disa fusha, me theks te përmirësimi i teknikës, aspektit taktik dhe përgatitjes fizike të lojtareve.
Akademia e FIFA-s në Kosovë është e para e këtij lloji në vendet e Ballkanit dhe synon të shërbejë si një hap i rëndësishëm për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të futbollit. Përmes kësaj pune, objektivi është që vajzat e përzgjedhura të zhvillohen gradualisht dhe të jenë të gatshme që në të ardhmen të synojnë edhe fanellën e ekipeve kombëtare të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
