Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka shprehur shqetësim për mënyrën se si, sipas saj, institucionet po trajtojnë prodhuesit vendorë, duke paralajmëruar se problemet me të cilat po përballet industria e qumështit mund të prekin edhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Në një konferencë për media, të martën, më , drejtori i kësaj shoqate, Kushtrim Ajvazi, tha se një industri e ndërtuar për më shumë se dy dekada po rrezikohet nga veprimet e institucioneve.
“Ajo çka do të bëjmë sot është të prezantojmë realisht se çka ka ndodhur në realitet dhe do të mundohemi t’ia përmendim qytetarit se si një industri e cila është ndërtuar me mund tash e dy dekada po tentohet të rrënohet në tërësi nga disa persona të cilët thirren se po e ndërtojnë vendin, por në fakt ata po e rrënojnë çdo ditë vendin”- tha Ajvazi.
Sipas tij, nëse vazhdon mënyra aktuale e trajtimit të prodhuesve vendorë, problemet që po shfaqen në industrinë e qumështit mund të përsëriten edhe në industri të tjera. Ajvazi tha se prodhuesit vendorë janë përpjekur që përmes rritjes së prodhimit dhe konkurrencës të zëvendësojnë një pjesë të importeve.
“Këtu para nesh janë disa produkte të cilat janë produkte që prodhuesit vendorë me mund e me shpirt janë munduar me ndalë importin, përkatësisht me zëvendësuar importin duke konkurruar këtyre produkteve”- tha tutje ai. Ai theksoi se Shoqata e Prodhuesve nuk është kundër importeve, por kundër asaj që e konsideron si “trajtim të padrejtë të prodhuesve vendorë.
“Ta kemi të qartë që në fillim, si Shoqatë e Prodhuesve të Kosovës nuk jemi kundër importit të produkteve të cilitdo lloj që hyjnë në vendin tonë, mirëpo është e padrejtë ajo se çka është duke ndodhur aktualisht”- tha Ajvazi. Në fund, Ajvazi tha se prodhuesit vendorë nuk janë kundër kontrolleve institucionale dhe se, sipas tij, janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet.
“Nuk jemi kundër kontrolleve nga institucionet e vendit, përkundrazi, jemi bashkëpunëtorë kryesorë”- deklaroi Ajvazi. Përndryshe, gjatë javës së kaluar (), përmes një konference për media Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se gjatë periudhës prill- korrik 2026 ka zhvilluar një aksion të zgjeruar të kontrollit në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, gjatë të cilit janë marrë 495 mostra për analiza laboratorike.
Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, tha se aksioni është realizuar në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me fokus në sigurinë ushqimore, autenticitetin e produkteve dhe përputhshmërinë e etiketimit.
Menjëherë pas kësaj konference të AUV, Qumështorja “Vita” doli me një reagim publik, duke pretenduar se ministria e Bujqësisë nuk kanë publikuar rezultatet e analizave që mostrave që janë marrë në këtë qumështore.
