Shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës përcaktoi që kuqezinjtë në raundin e parë kualifikues të përballen me skuadrën e Europa FC nga Gjibraltari. “KF Shkëndija nga Tetova ka mësuar kundërshtarin e parë në edicionin 2026/27 të UEFA Conference League. Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës përcaktoi që kuqezinjtë në raundin e parë kualifikues të përballen me skuadrën e Europa FC nga Gjibraltari. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 korrik në Gjibraltar, ndërsa takimi i kthimit është paraparë të luhet më 16 korrik në Shkup. Europa FC është një klub me traditë mbi 100-vjeçare dhe një emër i njohur në futbollin e Gjibraltarit. Kjo do të jetë pjesëmarrja e tyre e 11-të në garat evropiane, ndërsa në të kaluarën janë përballur edhe me skuadra shqiptare si Prishtina dhe Dukagjini. Arritja e tyre më e madhe në Evropë mbetet kualifikimi në raundin e dytë eliminator të garave kontinentale. Pavarësisht se vjen nga një kampionat më modest, Europa FC është një skuadër që meriton respekt, veçanërisht në ndeshjet si vendas, të cilat i zhvillon në një stadium specifik me bar sintetik, pranë pistës së aeroportit në Gjibraltar. Shkëndija ndërkohë vazhdon përgatitjet për sezonin e ri, me fokus të plotë te sfida e parë evropiane e verës”, thuhet nga Shkëndija.
