Një kontroll rutinë i njësisë së Antidrogës në Gjakovë ka çuar në zbulimin e kokainës jo vetëm te një i dyshuar në rrugë, por edhe brenda shtëpisë së tij. Sinjali mëson se i dyshuari është Edmond Maloku .
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut, rreth orës , në rrugën “Florat Kerraxhija” në Gjakovë, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë ndaluar Edmond Malokun për kontroll. Gjatë kontrollit, policët i kanë gjetur 0.52 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Pas shoqërimit në zyrat e DHTN-së dhe intervistimit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Por rasti nuk përfundoi me kaq. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë intervistimit, Edmond Maloku ka deklaruar se në shtëpinë e tij kishte edhe një sasi tjetër të vogël të kokainës.
Pas kësaj deklarate, Prokurorja kujdestare ka lëshuar urdhër verbal për bastisje, e cila është realizuar në banesën e të dyshuarit në rrugën “Ymer Pula” në Gjakovë. Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe 0.17 gramë kokainë, duke e çuar sasinë e përgjithshme të sekuestruar në 0.69 gramë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!