Abdullah Prapashtica, një nga figurat e hershme të organizimit politik shqiptar në ilegalitet në Kosovë gjatë regjimit serbo-jugosllav, ka rrëfyer për mënyrën e organizimit të veprimtarisë ilegale dhe rolin që kishte Adem Demaçi në atë periudhë.
Në ciklin e intervistave dhe emisioneve ekskluzive “Dosjet”, me autor Ermal Pandurin, Prapashtica ka folur për mënyrën se si shihej Demaçi nga strukturat e Sigurimit të Shtetit. Duke iu përgjigjur pyetjes së Pandurit se si shihej Adem Demaçi nga Sigurimi i Shtetit, Prapashtica tha se ai konsiderohej si një prej figurave kryesore të patriotizmit në Kosovë.
“Ademi ka qenë pika kryesore, ka qenë lideri i patriotizmit në Kosovë, sepse ata e kanë ditë që ai nuk heq dorë prej asaj pune. Metushi (Krasniqi) është pasivizu, ndërsa baca Adem nuk është pasivizu asnjëherë”, rrëfeu Prapashtica.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për mënyrën se si shpërndaheshin materialet e organizatës dhe nëse përdorimi i postës mund të rrezikonte zbulimin e veprimtarisë ilegale. Prapashtica tregoi se materialet dërgoheshin nga vende të ndryshme, me qëllim që të shmangej përdorimi i përsëritur i të njëjtit vend.
“Ne kemi përdorur postën e Ulqinit, me dërgu materiale në Kosovë, kemi dërgu nga Gjilani, nga ish-Obiliqi. Nuk kemi dërgu prej një vendi, kemi dërgu prej vendeve të ndryshme dhe aty ku kemi përdorur njëherë, të dytën herë nuk e kemi bërë”, tha ai.
Prapashtica shpjegoi se organizata kishte një mënyrë të veçantë të organizimit, e cila, sipas tij, dallonte nga organizatat e tjera ilegale të asaj kohe.
Ai tha se programi, statuti dhe instruksionet për punë praktike shpërndaheshin edhe në formë afishesh, ndërsa personave që i pranonin u propozohej të organizonin bazën e partisë dhe të vepronin në përputhje me programin, pa pasur domosdoshmërisht kontakt me drejtuesit. “Ne kemi pasë krejt një metodë tjetër prej organizatave tjera ilegale.
Ne i kemi shpërnda, për shembull, programin, statutin e PKLMSHJ-së, instruksionet për punë praktike edhe si afishe dhe u kemi propozu njerëzve që të organizojnë bazën e partisë PKLMSHJ-së dhe të veprojnë sipas programit, pa marrë kontakt me neve”, deklaroi Prapashtica.
Sipas tij, në këtë mënyrë janë krijuar edhe disa grupe që janë organizuar mbi bazën e programit dhe jo domosdoshmërisht rreth individëve që e kishin hartuar atë.
