Mercedes-AMG ka zbuluar pamjet e para të SUV-it të ri elektrik, i cili do të jetë versioni crossover i modelit GT 4-Door. Kompania gjermane e ka prezantuar modelin përmes disa fotografive në rrjetet sociale, ndërsa premton performancë të lartë dhe dizajn karakteristik AMG.
Modeli i ri vjen me një pjesë të përparme të gjerë, drita të ditës në formë ylli, parafango të theksuara dhe një çati sportive. Pjesa e pasme ngjan me GT 4-Door, por SUV-i do të ketë një dizajn të veçantë të dritave. Brendësia pritet të jetë e ngjashme me atë të versionit sedan dhe të përfshijë një panel digjital 10.2-inç, ekran qendror 14-inç dhe një ekran të veçantë për pasagjerin.
Pajisjet pritet të plotësohen me ulëse sportive, timon me pjesën e poshtme të sheshtë, karikues pa kabllo dhe çati panoramike. Në versionin 53, SUV-i do të ketë dy motorë elektrikë me fuqi totale prej 536 kuaj/fuqish dhe 800 Nm çift rrotullues. Bateria prej rreth 106 kWh do t’i mundësojë një autonomi deri në 809 kilometra, sipas ciklit WLTP.
Mercedes-AMG pritet të ofrojë edhe versionin më të fuqishëm 63 me tre motorë. Ky konfigurim do të zhvillojë deri në 1,153 kuaj/fuqi dhe 2,000 Nm çift rrotullues. Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h pritet të bëhet për vetëm 2.4 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale do të arrijë 300 km/h. Modeli i ri elektrik Mercedes-AMG pritet të dalë në shitje në fund të këtij viti.
