Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, ka ngritur shqetësime të reja në lidhje me sigurinë, furnizimin me ujë dhe stabilitetin e Kosovës.
Vuçiq e ka lidhur një veprim të tillë me pretendimet për trajtimin e serbëve nga autoritetet në Kosovë, duke e vendosur kështu çështjen e ujërave ndërkufitare në një kontekst të drejtpërdrejtë politik.
Kjo deklaratë ka hapur debat mbi atë se sa real është rreziku që Serbia ta përdorë kontrollin apo ndërhyrjen në rrjedhën e Ibrit si mjet presioni ndaj Kosovës dhe cilat do të ishin pasojat e mundshme për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë, mjedisin dhe sigurinë e vendit.
Rëndësia strategjike e Ibrit dhe veçanërisht e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc e bën këtë çështje veçanërisht të ndjeshme për Kosovën. Çdo ndërhyrje që do të ndikonte në sasinë apo rrjedhën e ujit mund të prodhonte pasoja të shumëfishta, duke prekur jo vetëm furnizimin me ujë, por edhe sektorë të tjerë jetikë për funksionimin e shtetit.
Në këtë situatë, shtrohet pyetja nëse deklarata e presidentit serb duhet të konsiderohet vetëm si retorikë politike dhe pjesë e luftës hibride, apo nëse Kosova duhet ta trajtojë atë si një çështje konkrete të sigurisë kombëtare dhe ta ngrejë menjëherë në nivel ndërkombëtar.
Po ashtu, mbetet me rëndësi mënyra se si do të reagojnë institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, përballë çdo tentative për përdorimin e burimeve ujore si instrument presioni politik.
Dashevci: Deklarata e Vuçiqit është propagandë, rreziku praktik është zero E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili deklaratën e presidentit serb e cilësoi si propagandë dhe pjesë të luftës hibride të Serbisë.
Dashevci tha se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është i pamundur nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se konventat për ujërat ndërkufitare nuk lejojnë ndërhyrje të tilla.
“Po, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë ‘mundësinë’ e pamundur, sepse është e pamundur, konventat ndërkombëtare për ujërat nuk e lejojnë një gjë të tillë dhe kinse, sipas tij, e do ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke e lidhur një veprim të tillë me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë” , deklaroi ai.
Sipas ekspertit të sigurisë, pretendimet e Vuçiqit nuk pasqyrojnë realitetin në Kosovë, ndërsa deklarata e tij ka për qëllim të krijojë presion dhe të zhvendosë vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi.
“Deklarata e Vuçiqit është puro propagandë për nevoja të tij të brendshme politike, zhvendosje të vëmendjes nga problemet e shumta që ka atje me popullin e tij në atë shtet dhe, natyrisht, është vazhdë e luftës së tij hibride, sepse është e dyta herë që përmend një propagandë pa asnjë efekt praktik dhe absolutisht të pamundur” , u shpreh Dashevci.
Ai vlerëson se rreziku që ndryshimi i rrjedhës së Ibrit të përdoret realisht si mjet presioni ndaj Kosovës është shumë i ulët, pikërisht për shkak të kufizimeve që burojnë nga e drejta ndërkombëtare.
“Pra, unë mendoj që nuk është aspak serioz, rreziku është zero në aspektin e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare që ndryshimi i rrjedhës së Ibrit të përdoret nga Serbia si mjet presioni ndaj Kosovës. Nuk ka pasojë kur nuk mund të realizohet ajo që e ndalon konventa ndërkombëtare dhe është strikte e njëjtë për të gjithë botën” , tha ai.
Megjithatë, Dashevci theksoi se, pavarësisht vlerësimit të tij për pamundësinë e realizimit të një veprimi të tillë, Kosova duhet të reagojë në mënyrë aktive në planin diplomatik. Sipas tij, deklarata duhet të ngrihet menjëherë në nivel ndërkombëtar dhe të trajtohet në koordinim me partnerët kryesorë të Kosovës.
“Kosova duhet ta alarmojë bashkësinë ndërkombëtare me gjithë kapacitetin e saj diplomatik që ka. Unë mendoj që duhet ta ngrejë menjëherë çështjen në nivel ndërkombëtar, në një reagim të koordinuar me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithsesi me SHBA-në, por dhe institucionet tjera ndërkombëtare”, përfundoi Dashevci.
Racaj: Uji është resurs strategjik, deklarata e Vuçiqit duhet marrë seriozisht Kurse Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major në pension, e vlerëson ndryshe situatën, duke theksuar se deklarata e presidentit serb nuk duhet të trajtohet vetëm si retorikë politike apo debat teknik, por si një çështje që prek sigurinë kombëtare, sigurinë njerëzore dhe luftën hibride.
“Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e lidhur këtë me pretendimet për trajtimin e serbëve në Kosovë, duhet të merret shumë seriozisht. Kjo nuk është vetëm një deklaratë politike apo një debat hidroteknik.
Në këndvështrimin tim, ajo duhet të analizohet si çështje e sigurisë kombëtare, sigurisë njerëzore dhe luftës hibride. Është një parim që po bëhet gjithnjë e më i qartë në marrëdhëniet ndërkombëtare: shekulli XXI është shekulli i konkurrencës dhe luftës për energji, ndërsa shekulli XXII mund të jetë shekulli i konkurrencës së ashpër për ujë dhe burime të tjera jetike.
Për këtë arsye, uji nuk mund të trajtohet më vetëm si resurs natyror; ai është edhe resurs strategjik. Në rastin e Kosovës, rëndësia e Ibrit dhe veçanërisht e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc është shumë më e madhe sesa duket në shikim të parë.
Një raport i laboratorit amerikan Pacific Northëest National Laboratory (PNNL), i publikuar në vitin 2021, e konsideron Liqenin e Gazivodës/Ujmanit një komponent të rëndësishëm të sigurisë ujore dhe energjetike të Kosovës.
Sipas raportit, ujërat e liqenit sigurojnë rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës dhe përdoren për ftohjen e dy termocentraleve me qymyr, të cilat në atë kohë përbënin rreth 95 për qind të prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës. Kjo e bën çështjen shumë më serioze.
Nëse një aktor shtetëror arrin të ndikojë në mënyrë të qëllimshme në sasinë, cilësinë ose rrjedhën e ujit, ai mund të krijojë pasoja zinxhir: ujë të pijshëm, bujqësi, industri, energji, shëndet publik dhe stabilitet shoqëror”, deklaroi Racaj për “Bota sot”.
Ai e lidh shqetësimin e tij edhe me zhvillimet e mëparshme rreth infrastrukturës ujore të Kosovës, duke përmendur sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024. “Prandaj, deklarata e Vuçiqit duhet të shihet edhe në kontekstin e asaj që ndodhi në nëntor të vitit 2024, kur një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës.
Sulmi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë dhe kërcënoi sistemin energjetik të vendit; pas incidentit u shtuan masat e sigurisë dhe KFOR-i mori masa për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Përgjegjësia për sulmin mbeti objekt i akuzave dhe hetimeve, ndërsa Beogradi e mohoi përfshirjen.
Në këtë kuptim, deklarata e fundit e presidentit serb është shqetësuese sepse e zhvendos ujin nga sfera e bashkëpunimit teknik në atë të presionit politik dhe potencialisht të sigurisë. Nga pikëpamja teknike, siç ka theksuar edhe inxhinieri hidroteknik Mumin Morina, ndërhyrjet në rrjedhën e një lumi mund të realizohen teknikisht përmes veprave hidroteknike.
Por kjo nuk do të thotë se një shtet ka të drejtë ta bëjë këtë sipas dëshirës. Pikërisht këtu hyn e drejta ndërkombëtare. Konventa e UNECE-së për ujërat ndërkufitare vendos tri parime themelore: parandalimin e dëmit ndërkufitar, përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve që ndajnë të njëjtin sistem ujor.
UNECE thekson gjithashtu se edhe ndërhyrjet në rrjedhën e ujit që mund të ulin ose ndryshojnë prurjet në shtetin poshtë rrjedhës kërkojnë trajtim në kuadër të këtyre detyrimeve dhe konsultimeve ndërmjet palëve. Pra, uji nuk mund të përdoret si armë politike apo si mjet ndëshkimi ndaj një popullsie”, u shpreh ai.
Sa i përket hapave që duhet të ndërmarrë Kosova, Racaj konsideron se reagimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe i koordinuar, duke e trajtuar çështjen në nivele diplomatike, të sigurisë dhe strategjike. “Në këndvështrimin tim profesional, kërcënimi duhet të trajtohet në tri nivele. Së pari, niveli diplomatik.
Kosova duhet ta dokumentojë menjëherë deklaratën dhe ta përcjellë zyrtarisht tek BE-ja, SHBA-ja, NATO-ja, Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Nuk duhet pritur që një kërcënim të shndërrohet në veprim konkret për të reaguar. Së dyti, niveli i sigurisë. Infrastrukturat e ujit duhet të trajtohen si infrastrukturë kritike kombëtare.
Kjo përfshin Ujmanin, kanalin Ibër-Lepenc, objektet e furnizimit me ujë dhe komponentët që lidhen me prodhimin e energjisë. Mbrojtja nuk duhet të jetë vetëm fizike, por edhe kibernetike, teknologjike dhe informative. Së treti, niveli strategjik. Kosova duhet të ndërtojë alternativa dhe rezerva. Një shtet është më i mbrojtur ndaj shantazhit kur nuk varet nga një burim i vetëm.
Prandaj kërkohet diversifikimi i burimeve të ujit, rezervuarëve, sistemeve të furnizimit, kapaciteteve të emergjencës dhe lidhjeve energjetike” , deklaroi Racaj. Ai theksoi se situata duhet parë edhe në kontekstin e luftës hibride, pasi burimet jetike dhe infrastruktura kritike mund të shndërrohen në mjete presioni pa pasur nevojë për një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake.
“Duhet të kemi parasysh edhe dimensionin e luftës hibride. Lufta moderne nuk fillon domosdoshmërisht me tanke dhe avionë. Ajo mund të fillojë me një deklaratë politike, një fushatë dezinformimi, presion ekonomik, sulm kibernetik, sabotim të infrastrukturës ose manipulim të një burimi jetik.
Në këtë kuptim, përdorimi i ujit si instrument presioni do të ishte një shembull tipik i luftës hibride ndaj një shteti dhe shoqërie. Megjithatë, duhet të bëjmë edhe një dallim të rëndësishëm: nuk duhet të krijohet panik. Deklarata politike nuk është e njëjtë me realizimin teknik të një projekti.
Por pikërisht sepse pasojat potenciale janë kaq të mëdha, shteti duhet të veprojë me parimin e parandalimit. Kosova duhet të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë një mekanizëm të përhershëm monitorimi dhe bashkëpunimi për ujërat ndërkufitare të Ibrit, me transparencë mbi çdo projekt të ri hidroteknik që mund të ndikojë në rrjedhën e ujit.
Mesazhi duhet të jetë i qartë: Ibrit nuk mund të përdoret si mjet politik dhe Ujmani nuk mund të shndërrohet në armë të presionit ndaj Kosovës ”, përfundoi Prof. Dr. Muhamet Racaj për “Bota sot”