Jose Mourinho ka rikthyer në vëmendje suksesin me Romën në finalen e Conference League në Tiranë, duke e cilësuar trofeun si një “mrekulli të vogël”. Jose Mourinho ka folur me nostalgji për periudhën e tij te Roma, në dokumentarin e Netflix kushtuar karrierës së trajnerit portugez.
Mes momenteve të shumta të rrugëtimit të tij, një vend të veçantë zë triumfi në finalen e Conference League në Tiranë. Mourinho kujton se suksesi me Romën ishte një arritje e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh potencialin dhe objektivat e klubit në atë periudhë. “Atë që bëra te Porto në fillim të karrierës, e përsërita te Roma.
E dija se aty nuk do të mund të fitoja kurrë Champions-in, por u ndjeva thellësisht i dashur dhe triumfi në Conference League ishte një mrekulli e vogël”, shprehet Mourinho. Më pas, me humorin karakteristik, trajneri portugez shton: “E vogël, sigurisht, sepse mrekullitë e mëdha i bën vetëm Jezu Krishti”.
Për Mourinhon, suksesi nuk ishte rastësi, por rezultat i objektivave që ai i vendos vetes në varësi të potencialit të skuadrës. “Në punën time, objektivat lidhen me potencialin dhe unë i arrij ato objektiva. Karriera ime më ka dhënë të drejtën për të qenë i lumtur dhe në Romë isha i lumtur”, thotë ai.
Triumfi në Tiranë mbetet një prej kapitujve më të veçantë të aventurës së tij në kryeqytetin italian. Roma mposhti Feyenoordin në finalen e Conference League dhe Mourinho u bë trajneri i parë që fitoi trofeun e ri europian. Gjatë karrierës, “Special One” ka lënë gjurmë te çdo skuadër që ka drejtuar, përmes trofeve, rivaliteteve, polemikave dhe momenteve të paharrueshme.
Nga Porto te Chelsea, Interi, Real Madridi, Manchester United, Tottenham, Roma dhe Fenerbahçe, Mourinho ka ndërtuar një karrierë që rrallë ka kaluar pa polemika apo histori për t’u treguar.
