Një 72-vjeçar është shpëtuar nga policia pasi kishte rënë aksidentalisht në një bunar në fshatin Muzeqinë të Shtimes. Rasti ka ndodhur rreth orës , në rrugën “Veteranët e Lirisë”, teksa i moshuari ishte duke ujitur kopshtin në oborrin e shtëpisë së tij. Pas marrjes së informatës për rastin emergjent, zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë, njëri prej zyrtarëve është futur rreth 10 metra në bunar, ku ka arritur ta sigurojë 72-vjeçarin me litar. Më pas, dy zyrtarë të tjerë kanë bërë tërheqjen dhe kanë arritur ta nxjerrin atë të gjallë nga bunari.
“Personi i shpëtuar fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, për trajtim të metutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftim. Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka vlerësuar reagimin e zyrtarëve policorë dhe ka falënderuar ekipet emergjente të QKMF-së në Shtime dhe Qendrës Emergjente në Ferizaj për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional.
