Shërbimi Suedez i Sigurisë (Säpo) ka njoftuar se ka parandaluar një operacion të inteligjencës ruse që synonte të dëmtonte imazhin e Suedisë dhe të ndikonte në vendimmarrjen e saj. Sipas Säpo-s, operacioni përfshinte një “agjent” që punonte në një mision diplomatik të huaj në Suedi. Agjencia nuk ka bërë të ditur se për cilin mision diplomatik bëhet fjalë.
Säpo tha se operacioni ishte planifikuar dhe drejtuar prej kohësh nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), shkruan Euornews, përcjell Sinjali. Qëllimi, sipas autoriteteve suedeze, ishte mbledhja e informacioneve rreth mënyrës se si merren vendimet në Suedi, për t’i përdorur më pas në operacione ndikimi për çështje përçarëse.
“Kjo synonte dobësimin e vendimmarrjes suedeze dhe dëmtimin e Suedisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Säpo-s. Zëvendësdrejtori i operacioneve të Säpo-s, Christoffer Wedelin, tha se autoritetet ndërhynë sapo morën informacion për operacionin, me qëllim mbrojtjen e interesave të rëndësishme të Suedisë dhe parandalimin e ndikimit të mëtejshëm.
Suedia iu bashkua NATO-s në vitin 2024, duke i dhënë fund rreth dy shekujve të politikës së mosangazhimit ushtarak. Vendimi erdhi pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Säpo e ka cilësuar vazhdimisht Rusinë, së bashku me Kinën dhe Iranin, si një nga kërcënimet kryesore të inteligjencës për Suedinë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!