Gjykata Administrative e Kosovës refuzoi si të pabazë padinë e grupit të asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me të cilën kanë kërkuar pezullimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për shtrenjtimin e biletave të autobusëve në transportin urban. Vendimin e publikoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në faqen e tij në Facebook.
“Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm !”, shkroi Rama. Rikujtojmë se nga 1 korriku u rrit çmimi i biletave njëdrejtimëshe në Prishtinë: nga 50 centë në 80 centë. 60 centë do të vlejë kjo biletë po qe se paguhet përmes sistemit digjital. Një biletë ditore kushtonte 80 centë. Kjo do të bëhet 1.2 euro në pagesë në dorë dhe 1 euro përmes “Kuletës Digjitale”.
“Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike. Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale”, thuhej në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
