Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmjen e së hënës disa objekte në qytetin e Schaffhausenit në Zvicër, ndërsa banorët kanë raportuar se kanë dëgjuar të paktën dy shpërthime të fuqishme. Ngjarja ka ndodhur në Fulachstrasse, në afërsi të stacionit hekurudhor të qytetit, ku në vendngjarje kanë dalë një numër i madh ekipesh të zjarrfikësve dhe policisë.
Pamjet e publikuara nga mediat zvicerane tregojnë flakë të mëdha që ngrihen nga ndërtesat, ndërsa në një prej videove shihet edhe momenti i një shpërthimi, pas të cilit një gjuhë e madhe zjarri ngrihet në ajër. “Dëgjova dy shpërthime”, kanë deklaruar dëshmitarët për mediat zvicerane. Sipas tyre, dy detonimet kanë ndodhur brenda një intervali prej rreth dy minutash.
Sipas informacioneve të para, zjarri dyshohet se ka nisur në një objekt që përshkruhet si hambar, ndërsa në afërsi ndodhet edhe një garazh. Për shkak të tymit të madh, banorëve të zonës u është kërkuar që t’i mbajnë dritaret të mbyllura. Policia e Schaffhausenit ka konfirmuar se gjatë incidentit kanë ndodhur detonime. Rreth orës zjarri ishte vënë nën kontroll.
Tre pjesëtarë të zjarrfikësve janë lënduar gjatë intervenimit, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura informacione për persona të tjerë të lënduar. Shkaku i shpërthimeve dhe i zjarrit mbetet ende i paqartë dhe pritet të sqarohet nga hetimet e autoriteteve zvicerane.
