Forcat e Armatosura kanë zhvilluar një takim teksa kanë analizuar punën e 6-mujorit të parë të këtij viti. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi theksoi se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë realizuar me sukses objektivat kryesore të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandantët dhe drejtorë të strukturave të Forcave të Armatosura. Krahas ruajtjes së sigurisë dhe gatishmërisë operacionale, analiza evidentoi progres në rekrutim, stërvitje, operacione, modernizim, infrastrukturë dhe administrimin e burimeve.
Ndërkohë, riorganizimi i strukturave ka përmirësuar efektivitetin e komandimit dhe përdorimin e burimeve, ndërsa bashkëpunimi me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët rajonalë ka forcuar përgatitjen dhe ndërveprueshmërinë e forcave.
Progres është shënuar edhe në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, përmes pajisjes me sisteme të reja dhe zhvillimit të projekteve strategjike, ndërsa si prioritet për periudhën në vijim u përcaktua integrimi i plotë operacional i këtyre kapaciteteve, përmes përgatitjes së personelit, stërvitjes dhe zhvillimit të infrastrukturës, me synim rritjen e aftësive operacionale dhe forcimin e kontributit të Shqipërisë në mbrojtjen kolektive.
