Një fluturim i Porter Airlines në Kanada është anuluar pasi një fëmijë i vogël refuzoi të ulej në vendin e tij dhe të vendoste rripin e sigurimit, duke detyruar dhjetëra pasagjerë të kalonin natën në aeroport. Avioni ishte nisur nga terminali i Aeroportit Ndërkombëtar Victoria, në British Columbia, dhe po drejtohej drejt pistës për fluturimin drejt Torontos, kur situata u përshkallëzua.
Sipas kompanisë ajrore, prindi dhe anëtarët e ekuipazhit tentuan disa herë ta bindnin fëmijën të qëndronte në sedilje me rripin e sigurimit, por pa sukses. Për arsye sigurie, avioni u kthye në portë. Prindi dhe fëmija zbritën së bashku me bagazhet, ndërsa më pas u detyruan të zbrisnin edhe të gjithë pasagjerët e tjerë.
Fluturimi nuk mundi të nisej më, pasi duhej të riplanifikohej plani i fluturimit dhe të përfundoheshin procedurat përkatëse. Për shkak të vonesës, avioni humbi edhe orarin e mbylljes së pistës në të mëngjesit, duke bërë që pasagjerët të kalonin natën në British Columbia. Porter Airlines kërkoi falje për situatën dhe njoftoi se pasagjerët do të rirezervoheshin për ditën e ardhshme.
Nuk është bërë e ditur mosha e fëmijës, ndërsa avioni kishte 132 vende. Pasagjerët e pranishëm në fluturim shprehën zhgënjim të madh dhe kritikuan kompaninë për mungesën e informacionit pas anulimit. Një pasagjere tha për CBC se fëmija nuk dukej se po sillej keq, por ishte i frikësuar dhe “vazhdonte të fshihej nën sediljen e tij”.
Sipas saj, sa herë që përpiqeshin ta vendosnin në sedilje dhe t’i lidhnin rripin, ai arratisej përsëri. Disa pasagjerë u detyruan të kërkonin hotele në minutën e fundit pranë aeroportit dhe tani kërkojnë që kompania ajrore t’i kompensojë për shpenzimet e shkaktuara nga anulimi.
