Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike për konstituimin e institucioneve, duke paralajmëruar se në mungesë të saj vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Dehari ka kritikuar një pjesë të deputetëve opozitarë, duke pretenduar se ata nuk janë të interesuar për një marrëveshje politike dhe se synojnë tensionimin e situatës gjatë seancës konstituive. “Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshje politike për konstituim të institucioneve, dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive”, ka deklaruar Dehari.
Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e reja do të ishin të panevojshme dhe të dëmshme, ndërsa ka kërkuar që partitë politike të arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve. “Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme. Duhet të arrihet marrëveshja politike.
Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë”, ka thënë Dehari. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7.
