Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka nisur integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit. Përmes një komunikate për media më , KFOR ka bërë të ditur se në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është “pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”.
“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, si dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”- thuhet në njoftim.
KFOR me tej thekson se përkushtimi ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale mbetet i palëkundur. “Personeli jonë është i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi, në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”- thuhet më tej në komunikatë.
KFOR-i shton se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, “me synim ruajtjen e transparencës, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, si dhe shmangien e keqkuptimeve”.
Në njoftim është theksuar se është e rëndësishme që “të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim”.
KFOR-i thotë se vazhdon të përmbushë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes.
