Një incident i pazakontë ka ndodhur pasditen e së dielës në Rrugën C në Prishtinë, ku një i ri dyshohet se ka hyrë në hapësirat e një autosalloni dhe ka dëmtuar veturat me një mjet të fortë.
Sinjali mëson se i dyshuari është Leard Hasanaj (2006), i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa cak i dëmtimit ishte autosalloni “Illyrian Cars Kosova”, në afërsi të rrethrrotullimit te Maxi 24h. Rasti është raportuar më 9 gusht, rreth orës , pasi Policia është njoftuar se një person po dëmtonte automjetet e ekspozuara në autosallon.
Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë arrestuar të dyshuarin. Në vendin e ngjarjes janë konstatuar dy vetura të dëmtuara, të cilat dyshohet se janë goditur me një hekur. Mjeti që dyshohet se është përdorur është gjetur dhe sekuestruar nga Policia si provë materiale.
Pronari i autosallonit, Vullnet Musliu (2006), ka deklaruar se nuk e njeh të dyshuarin dhe se dëmi i shkaktuar në dy automjetet kap vlerën prej rreth 7 mijë deri në 8 mijë euro. Një dëshmitar ka deklaruar para Policisë se e kishte parë të dyshuarin duke i dëmtuar veturat. Hasanaj është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, sipas informacioneve të rastit, e ka pranuar veprën.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa 20-vjeçari është ndaluar për 48 orë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
