Një incident i rëndë me të shtëna me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së dielës në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku dyshohet se është qëlluar me armë nga dy palë brenda korridorit të një ndërtese banimi. Sinjali mëson se lidhur me rastin si të dyshuar janë identifikuar Endri Cakiqi rreth 18 vjeç dhe Albi Cakiqi 24-vjeç, ndërsa rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”.
Ngjarja është raportuar më 9 gusht, rreth orës , pasi Policia ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë lokacion. Kur njësitë policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë hasur në shenja që dëshmojnë për seriozitetin e përplasjes.
Dera e banesës ku jetojnë të dyshuarit kishte vrima nga predhat, ndërsa dyshohet se nga brenda banesës ishte shtënë në drejtim të disa personave që ndodheshin në korridor. Por dyshimet janë se të shtënat nuk kanë ardhur vetëm nga njëra anë.
Në korridor janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se u përkasin kalibrave të ndryshëm dhe së paku dy armëve, ndërsa nga të shtënat janë dëmtuar dera e banesës së të dyshuarve dhe dera e banesës përballë. Këto prova kanë ngritur dyshimet se në incident është qëlluar me armë nga të dyja palët.
Njësia e Hetimeve Rajonale ka kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe ka sekuestruar gëzhojat dhe predhat e gjetura për ekzaminime të mëtejshme. Personat që ndodheshin në banesë janë larguar pas incidentit dhe vendndodhja e tyre nuk dihet, ndërsa deri më tani nuk është bërë i ditur motivi që çoi në përplasjen e armatosur.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Vrasje në tentativë”. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
