Sot, kemi dy Shqipëri brenda të njëjtit territor, të njëjtit shtet dhe të njëjtit realitet politik, social dhe ekonomik. Njëra Shqipëri ngrihet në lartësinë e kullave, fasadave dhe spektaklit të pushtetit. Tjetra qëndron në rrugë, përballë Kryeministrisë, duke kërkuar llogari, përgjegjësi dhe një tjetër mënyrë qeverisjeje.
Asnjëherë shqiptarët nuk e kanë ndjerë kaq afër përballë njëra-tjetrës se si shfaqen dy Shqipëri. Njëra është Shqipëria që pushteti absolut i Edi Ramës projekton në ekran: ajo moderne, europiane, e kuruar, e lartë, e mbështjellë me arkitekturë spektakolare, me kulla që ndryshojnë horizontin e Tiranës dhe me një kryeministër që e ka kuptuar më mirë se kushdo para tij fuqinë politike të imazhit.
Tjetra është Shqipëria që qëndron në rrugë: qytetarë që kërkojnë llogari, që kundërshtojnë mënyrën e qeverisjes dhe që, prej rreth 70 ditësh, sipas organizatorëve të protestës, qëndrojnë përballë zyrës së Kryeministrit, duke kërkuar largimin e tij nga pushteti. Në njërën anë është fasada. Në tjetrën është protesta.
Në njërën anë është “monumenti” i një sundimtari autokrat, i jetësuar në arkitekturën “moderniste” të një ndërtese gjigande në qendër të Tiranës, ngjitur pikërisht me Hotelin simbol të 15-katëshit, si një referencë që bashkon epokat e historisë së kryeqytetit. Në anën tjetër është qytetari. Në njërën anë është pushteti që kërkon të shkruajë historinë me ndërtesa dhe imazhe.
Në tjetrën është një masë e konsiderueshme e rinisë shqiptare dhe populli që e mbështet dhe që kërkon ta shkruajë historinë me llogaridhënie dhe përgjegjësi. Ky është paradoksi që e vendos Edi Ramën përballë vetvetes. Sa më shumë pushteti kërkon të shfaqë një Shqipëri të madhe në imazh, aq më e fortë bëhet pyetja për Shqipërinë që nuk duket në fotografitë zyrtare.
Sa më shumë ndërtohet vertikaliteti i kullave, aq më shumë qytetari pyet për themelin e institucioneve. Sa më shumë flitet për madhështinë e qytetit, aq më shumë kërkohet të dihet nëse madhështia e shtetit qëndron te institucionet apo te figura e njeriut që e drejton. Këtu ndodhet edhe kontradikta më e madhe e modelit politik të Edi Ramës.
Ai ka ditur ta shndërrojë imazhin në instrument pushteti. Ka kuptuar se politika nuk është vetëm program, por edhe skenografi; nuk është vetëm vendimmarrje, por edhe perceptim; nuk është vetëm qeverisje, por edhe mënyra se si qeverisja shitet dhe paraqitet.
Por një demokraci e pastër dhe e vërtetë nuk mund të jetojë vetëm me imazhin e saj, sepse ka nevojë për institucione që funksionojnë edhe kur kamerat e propagandës janë fikur. Dhe pikërisht aty ndahen dy Shqipëritë. Njëra pyet: sa e bukur është Tirana? Tjetra pyet: sa e drejtë është Shqipëria? Njëra pyet: sa lart mund të ngrihen kullat? Tjetra pyet: sa lart qëndrojnë institucionet?
Njëra pyet: sa madhështor është monumenti që i ngre vetes një Kryeministër autokrat? Tjetra pyet: sa e madhe është përgjegjësia e pushtetit? Nëse sot me të drejtë protestuesit kërkojnë largimin e Edi Ramës, kjo nuk mund të reduktohet në një debat mbi një ndërtesë, por duhet lexuar si pjesë e një konflikti më të gjerë politik mbi mënyrën e qeverisjes së vendit.
Kritika e tyre lidhet me akuzat për personalizim të pushtetit, klientelizëm, nepotizëm dhe korrupsion domethënës. Këto janë akuza politike dhe, aty ku bëhet fjalë për përgjegjësi penale konkrete, ato duhet të provohen nga institucionet përkatëse.
Por vetë fakti që këto akuza janë bërë pjesë qendrore e debatit publik që prej shumë vitesh nën qeverisjen e Edi Ramës, tregon një krizë të gjerë besimi që nuk mund të zgjidhet vetëm me propagandë, sepse pushteti mund të kontrollojë narrativën për njëfarë kohe, por jo përgjithmonë!
Mund të kontrollojë ekranin e blerë të propagandës, algoritmin e komunikimit, prodhimin e imazhit të një vendi që vetëm ecën përpara. Por asesi nuk mund të kontrollojë përjetësisht atë që qytetarët mendojnë për jetën e tyre. Dhe këtu qëndron fytyra tjetër e Shqipërisë. Ajo e vërteta që sheh shumica e shqiptarëve, nga Jugu e në Veri.
Jo ajo që fotografohet nga lart, por ajo e prekshmja nga shumica e popullit dhe që qëndron poshtë; jo ajo që shfaqet në inaugurime, por ajo që kërkon një përgjigje transparente, të drejtë dhe shteruese. E pra, kjo nuk është Shqipëria që duartroket pushtetin, por ajo që i kërkon pushtetit llogari… llogari… dhe vetëm llogari në emër të transparencës, dinjitetit dhe drejtësisë sociale.
Në fund të fundit, të dyja këto Shqipëri janë të pranishme në të njëjtin realitet shqiptar. Dhe, paradoksalisht, pikërisht kjo bashkëjetesë e bën përplasjen mes tyre edhe më të thellë, edhe më të pashmangshme. Një kryeministër mund të ndërtojë një imazh të mirëkuruar të vetes, madje edhe një narrativë si mjeshtër i akrobacive përmes sofizmave.
Mund të ndërtojë kulla e monumente për veten, por asesi nuk mund të ndërtojë mënyrën se si do ta kujtojë atë një popull. Këtu ai është i pafuqishëm. Pavarësisht pushtetit politik që ka përqendruar dhe ndikimit ekonomik që i ka dhënë pushteti, përballë qytetarit që nuk pranon të heshtë, ai mbetet vetëm një njeri.
Dhe ky është paradoksi i çdo pushteti të pakufizuar: mund të kontrollojë institucione, mekanizma dhe pasuri, por nuk mund të kontrollojë përgjithmonë ndërgjegjen e një populli. Dhe këtë e vendos koha. E vendosin faktet. E vendosin institucionet.
Mbi të gjitha, e vendosin qytetarët, sepse një Shqipëri mund të pasqyrojë atë që pushteti dëshiron të shohim, por Shqipëria tjetër, Shqipëria reale, na kujton atë që pushteti nuk mund ta fshehë përgjithmonë…. Tiranë, e shtunë – 8 gusht, 2026
