Zulte Waregem ka mposhtur me përmbysje Genk, në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të kampionatit belg. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elindus Arena” përfundoi me shifrat 2:1. Në këtë përballje, vëmendjen totale e mori Serxhi Ujka.
Ish-mesfushori i Egnatias u fut në fushën e lojës në minutën e 76-të dhe i dha fitoren të tijëve në të 86-tën, pasi fillimisht ishte Ake ai që ktheu ekuilibrat, duke bërë kështu të pavlefshëm golin e Durosinmi në fraksionin e parë. Një nisje e mbarë për Waregem që shkon në kuotën e 3 pikëve dhe ndjek Gent e vendit të katërt.
Ndërsa për Serxho Ujkën, “sefte” për sezonin e ri duke treguar që forma është mëse perfekte dhe i gatshëm për të tjera “shkëndija” të ngjashme në ndeshjet e radhës.
