Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë planin 15-pikësh të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, duke deklaruar se nuk do të ketë tërheqje ushtarake derisa Hamasi të çarmatoset “vërtet”. Bordi i Paqes i Trump tha muajin e kaluar se kishte arritur një marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza.
Por Hamasi tha se dorëzimi i armëve të rënda varet nga përfundimi i “të gjitha formave të agresionit” nga Izraeli dhe tërheqja e forcave të tij nga Gaza. Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në Gaza që kur ra dakord për një armëpushim fillestar në territor tetorin e kaluar. “Izraeli e hedh poshtë dokumentin me 15 pika”, tha Netanyahu në një takim të kabinetit të dielën.
Ushtria izraelite “nuk do të kryejë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset vërtet dhe do të vazhdojë të pengojë kërcënimet kundër forcave dhe qytetarëve tanë”, shtoi ai. Çfarë përfshihet në planin e paqes për Gazën? Muajin e kaluar, Trump njoftoi “një hap monumental drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme” pasi Hamasi tha se kishte pranuar një plan çarmatimi për Gazën.
Por Netanyahu tha se Hamasi duhej të çarmatosej përpara se Izraeli të tërhiqte forcat e tij nga Gaza, duke shtuar se nuk mund të ishte ndonjë “çarmatim fiktiv”. Ai tha se tani ishte në diskutime me zyrtarët amerikanë se si të ecë përpara. “Ata kanë ide; disa prej tyre janë të pranueshme për ne dhe disa jo, dhe ne dimë si t’i mbajmë qëndrimet tona në këto çështje” , tha ai.
Vetëm disa muaj para zgjedhjeve në Izrael, kryeministri izraelit nuk ka gjasa të dëshirojë të bëjë lëshime. Ai është përballur me thirrje nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë për të mbajtur një votim të ri për kabinetin dhe për t’i dhënë fund planit për Gazën, përfshirë Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, i cili e hodhi poshtë draftin si “të papranueshëm”.
Kjo sinjalizon një tjetër goditje për planin e paqes të Trump në Gaza, i cili u njoftua në shtator të vitit të kaluar, raporton BBC. Plani përfshinte krijimin e Bordit të Paqes për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes, si dhe çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës.
