Në periudhën 03-, dy zyrtarë nga Policia e Kosovës realizuan me sukses të lartë programin ndërkombëtar të Internshipit dhe shkëmbimit të përvojave policore në Universitetin Policor të Brandenburgut, Gjermani, së bashku me kolegë policorë nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Sipas një njoftimi për media thuhet se programi përfshiu shkëmbim të përvojave profesionale, ushtrime të përbashkëta taktiko-operative, praktika në arrestime dhe kontrolle të objekteve, trajtimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe vizita në njësi të ndryshme të Policisë Gjermane, përfshirë policinë ujore dhe njësitë e specializuara.
“Në kuadër të programit u realizuan gjithashtu vizita në Berlin dhe Bundestagun Gjerman. Referuar përvojave të ndara me kolegë nga vende të ndryshme, programi krijoi një platformë të rëndësishme për bashkëpunim, krahasim të praktikave dhe shkëmbim të standardeve bashkëkohore policore”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim pjesëmarrja dhe kontributi profesional në këtë program e prezantojnë Policinë e Kosovës në mesin e organizatave policore të zhvilluara dhe të orientuara drejt standardeve moderne ndërkombëtare, duke promovuar përvojën, profesionalizmin dhe praktikat e saj në siguri dhe shërbim ndaj qytetarëve.
“Veçanërisht, gjatë ushtrimeve praktike për trajtimin e dhunës në familje, qasjet dhe metodat e prezantuara nga Policia e Kosovës u vlerësuan lartë dhe shërbyen si pjesë e shkëmbimit profesional me kolegët ndërkombëtarë.
Ky program konfirmon rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Universitetit Policor të Brandenburgut, përmes programeve të internshipit, trajnimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave, në funksion të avancimit dhe modernizimit të vazhdueshëm policor”, thuhet në njoftim.
