Motomjetet në “sitë” në Tiranë, 19 drejtues procedohen penalisht,

0%

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve, pas shqetësimeve të shumta për manovra të rrezikshme dhe shkelje që cenojnë sigurinë në rrugë. Gjatë dy ditëve të fundit janë proceduar penalisht 19 shtetas, pasi u kapën duke drejtuar motomjete elektrike pa lejen përkatëse të drejtimit. Mjetet e tyre janë sekuestruar.

Në kuadër të kontrolleve janë vendosur gjithashtu 530 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pjesa më e madhe e gjobave, 371, janë vendosur për drejtuesit që qarkullonin pa kaskë mbrojtëse. Njoftimi: Policia Rrugore e Tiranës intensifikon kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve.

Procedohen penalisht 19 shtetas, sekuestrohen 19 motomjete elektrike dhe vendosen 530 masa administrative, gjatë kontrolleve në dy ditët e fundit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në vijim të kontrolleve të intensifikuara me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore, veçanërisht atyre ku përfshihen motomjetet, dhe nga shqetësimet e shumta lidhur me manovrat e rrezikshme të kryera me to, shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë kanë vijuar kontrollet ndaj drejtuesve të këtyre mjeteve, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore.

Gjatë kontrolleve të kryera në dy ditët e fundit janë konstatuar 19 shtetas që drejtonin motomjete elektrike pa leje drejtimi përkatëse. Për këta shtetas ka nisur procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa motomjetet janë sekuestruar.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar dhe ndëshkuar me masa administrative shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht: -371 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; -76 masa për qarkullim në korsitë e dedikuara për biçikleta dhe në hapësirat e dedikuara për këmbësorët; -28 masa për kryerje manovrash dhe mosrregullim të shpejtësisë në qendrat e banuara; -21 masa për shkaktim zhurmash nëpërmjet sistemit të shkarkimit të gazrave (marmitave); -18 masa për motomjete pa shenja dalluese/targa; -10 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; -6 masa për drejtim pa leje drejtimi përkatëse.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Policia Rrugore Tiranë apelon për drejtuesit e motomjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të pajisen me leje drejtimi, të përdorin kaskën mbrojtëse dhe të shmangin çdo manovër të rrezikshme që mund të cenojë sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Burimi: Bota Sot