Dita e gjashtë e betejës me flakët, zjarret vijojnë në Mallakastër,

0%

Dita e gjashtë e betejës me flakët në Mallakastër e gjen sërish situatën aktive. Zjarret vijojnë të djegin masive të tëra me pyje, ullishte e vreshta, ndërsa në disa momente flakët kanë rrezikuar edhe banesat.

Prej gjashtë ditësh, forcat zjarrfikëse, strukturat bashkiake dhe forcat e tjera të angazhuara po punojnë në terren për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të izoluar vatrat aktive. Aktualisht raportohet prani e zjarrit në zonat e Panahorit, Greshicës, Drenies dhe Vloshit, ku flakët vijojnë të përfshijnë sipërfaqe me masive pyjore.

Puna kryesore e forcave në terren është përqendruar në izolimin e vatrave dhe parandalimin e avancimit të zjarrit drejt zonave të banuara. Ndërkohë, në Koilaç, zjarri është izoluar. Forcat zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në zonë dhe po monitorojnë terrenin, me qëllim evidentimin dhe shuarjen në kohë të çdo vatre që mund të riaktivizohet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe gjatë mëngjesit të sotëm, ndërhyrja vijon në Panahor dhe Vlosh. Krahasuar me orët e mëparshme, zjarri paraqitet me intensitet disi më të ulët, por situata mbetet ende problematike për shkak të sipërfaqeve të mëdha të përfshira nga flakët dhe terrenit të vështirë. Bilanci i këtyre gjashtë ditëve është i rëndë.

Dhjetëra hektarë me pyje, ullishte dhe vreshta janë përfshirë nga zjarri, ndërsa puna në terren vijon pa ndërprerje për të shmangur përhapjen e mëtejshme dhe për të mbrojtur banesat. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë betejën me flakët deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave.

Burimi: Bota Sot