Pavarësisht masave ligjore dhe mekanizmave të ngritur për mbrojtjen e viktimave, dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga sfidat më serioze shoqërore në Kosovë. Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë raportuar mbi 1 mijë e 300 raste.
“Në vitin 2025 janë raportuar 2815 raste të dhunës në familje, ndërsa në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 1333 raste të raportuara”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Ndërsa, ekspertët vlerësojnë se megjithëse ka një rënie të lehtë të rasteve krahasuar me vitet e kaluara, fenomeni mbetet alarmues dhe kërkon më shumë angazhim në parandalim, edukim dhe mbështetje për familjet. Eksperti i çështjeve sociale, Vebi Mujku, ka thënë se nëse vazhdon ky trend, numri i rasteve gjatë vitit 2026 pritet të jetë më i ulët se në vitin 2025.
Mujku ka theksuar se rastet e raportuara nuk paraqesin të gjithë përmasën e fenomenit, pasi sipas tij ekzistojnë edhe raste që nuk denoncohen. Sipas tij, faktorët që ndikojnë në rastet e dhunës në familje janë të ndryshëm, ndërsa ndër më të shpeshtët përmendi rrjetet sociale, problemet ekonomike dhe përdorimin e substancave narkotike. “Po faktorët janë të ndryshëm.
Pothuajse secili rast i ka specifikat e veta. Mirëpo rrjetet sociale në njërën anë, problemet ekonomike brenda familjes, përdorimi i substancave narkotike pothuajse janë ndër faktorët kryesorë të cilët mbizotërojnë në rastet e dhunës në familje.
Pa i përjashtuar edhe rastet e tjera sepse ne kemi edhe me personat me probleme të shëndetit mendor që nuk mund ta menaxhojnë vetveten, pastaj ka edhe probleme pronësore, ka edhe probleme brenda familjes. Pra po flasim edhe për mes fëmijëve dhe prindërve, jo vetëm mes bashkëshortëve, kështu që janë specifika të ndryshme dhe natyra të ndryshme të rasteve”, ka thënë ai.
Mujku ka shtuar se rreth tremijë raste të dhunës në familje brenda një viti duke iu referuar statistikave të Policisë janë shqetësuese për shoqërinë, ndërsa vlerësoi se masat e ndërmarra deri tani nuk kanë dhënë efektin e plotë. “Po këto janë shumë shqetësuese, sepse një shoqëri si kjo e jona, të kemi diku rreth 3000 raste të dhunës në familje brenda vitit është shumë shqetësuese.
Dhe ne edhe pse kemi marrë masa të ndryshme, kemi gjallëruar mekanizmat qoftë në nivelin lokal, qoftë në nivelin qendror, pastaj janë disa masa të tjera si vendosja e hallkave, ashpërsimi i dënimeve me Kodin Penal, ashpërsimi i dënimeve me ligje të ndryshme të cilat kanë ndikuar deri diku në zbutjen e këtyre rasteve, mirëpo prapë e shohim se nuk është efekti i arritur”, tha ai, për Ekonomia Online.
Ai kërkoi më shumë angazhim në parandalim dhe sensibilizim, duke nisur që nga institucionet arsimore. “Mendojmë se ende duhet të bëhet një sensibilizim dhe ato qysh në masat e hershme, qysh prej shkollës fillore, shkollës mesme, në mënyrë që familjet ose çiftet e reja të jenë të përgatitura për hyrjen në martesë dhe për mosushtrim të dhunës në familje”, tha Mujku.
Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te ndëshkimi, por edhe te parandalimi dhe riintegrimi social i rasteve. “Po dënimet asnjëherë nuk kanë rezultuar si të shëndosha sepse pas një dënimi pastaj ashpërsohet edhe më tutje situata brenda familjes. Unë mendoj që duhet të punohet në parandalim dhe në riintegrim social të këtyre rasteve të cilat ndodhin.
Pra me ngritjen e vetëdijes rreth parandalimit besoj që ky do të ishte hapi i parë, njëkohësisht edhe një lloj këshillimore paramartesore para se këto çifte të hyjnë në martesë do të ishte shumë efikase në mënyrë që të përgatiten çiftet se çka i pret në martesë, pra cilat janë përgjegjësitë dhe obligimet brenda martesës” , tha Mujku.
I pyetur se si duhet vepruar institucionet e sigurisë në rastet kur çiftet apo familjet prapë vazhdojnë të qëndrojnë bashkë edhe pas dhunës, Mujku tha se këto varen nga vendimet e gjykatave dhe jo vetëm. “Gjitha këto varen prej një vendimi të gjykatës edhe prej raporteve ndërpersonale brenda familjes.
Policia nuk mundet të parandalojë se a do të bashkohen apo jo, mirëpo në qoftë se ekziston vendimi i gjykatës ose në qoftë se është urdhër mbrojtës atëherë policia është e obliguar që ta përcjellë atë urdhër mbrojtës.
Përndryshe vendimet janë shumë herë edhe vetanake të vetë çifteve, mirëpo kur janë edhe vendimet me vendim final të gjykatës atëherë domosdoshmërisht duhet të zbatohen dhe ato nuk mund ta kontestohen.
Ka raste kur nuk janë përfillur këto vendime, ka raste kur kanë dështuar edhe institucionet, mirëpo rastet janë shumë të rralla dhe në shumicën e rasteve i kanë marrë edhe vendimet ose dënimet e merituara ato raste të cilat e kanë shkelur urdhrin mbrojtës” , tha ai.
