Skopje do të jetë kundërshtari i Struga Trim Lum në javën e dytë të elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut. “Edhe një kundërshtarë tjetër ky, që vjen nga liga e dytë, pas atij takimi që patëm në xhiron e parë ndaj Shkëndijës së Haraçinës…”, thuhet nga FC Struga Trim Lum. Struga Trim Lum e nisi mbarë sezonin e ri, duke shënuar fitore 3:0 në ndeshjen hapëse ndaj Shkëndijës së Haraçinës.
Sot i pret ndeshja e radhës, e që sërish do të kenë përballë një skuadër që këtë vit erdhi nga liga e dytë. Kundërshtarë i tyre është Skopje, një skuadër jo edhe aq e njohur për ta pasi për herë të fundit ishim takuar para më shumë se tre vitesh. Mesfushori i Strugës Besmir Bojku tha: “Kundër Skopjes, ashtu si në çdo ndeshje tjetër duhet të hymë dhe të bëjmë më të mirën në fushën e blertë.
Kur them më të mirën, e kam fjalën nëse të gjithë ne realizojmë me përpikëri detyrat e caktuara nga ana e stafit teknik. Nëse arrijmë të bëjmë një gjë të tillë, atëherë besoj se do kalojmë mirë nga kjo transfertë në Shkup .” Bojku pranon faktin se më nuk ka ndeshje të lehta, ashtu që nuk duhet nënvlerësuar ekipin e Skopjes.
“Për mendimin tim nuk ka më ndeshje të lehta, ashtu siç nuk e patëm fare të lehtë edhe ndaj Shkëndijës së Haraçinës, pavarësisht rezultatit përfundimtarë. Do të doja të përsërisnim një lojë të tillë dhe mbi të gjitha një rezultat të tillë, me të vetmin qëllim për të vijuar rrugën e duhur të fitoreve.” – u shpreh Bojku.