Mbi 200 të evakuuar nga zjarri masiv pranë liqenit Garda

0%

Më shumë se 200 persona janë evakuuar për shkak të një zjarri të madh, që ka përfshirë zonën pranë liqenit Garda, në veri të Italisë, mes tyre edhe dhjetëra turistë, njoftuan sot shërbimet zjarrfikëse. Zjarri po përhapet në territorin e komunës së Tignale, në bregun perëndimor të liqenit Garda, liqeni më i madh në Itali dhe një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të vendit.

Dhjetëra turistë që qëndronin në një resort pushimesh, u evakuuan si masë paraprake, së bashku me banorët e disa shtëpive të pushimit. Sipas shërbimit zjarrfikës, zjarri u përhap me shpejtësi në zonat malore mbi bregun e liqenit dje në mbrëmje dhe gjatë natës. Dhjetëra ekipe emergjencash kanë vijuar sot në mëngjes përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll, por deri tani pa sukses.

“Përpjekjet aktualisht janë përqendruar në frenimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e disa ndërtesave të banuara” , deklaroi shërbimi zjarrfikës. Në operacion janë angazhuar edhe avionë dhe helikopterë zjarrfikës. Italia po përballet prej javësh me një valë të të nxehtit, me temperaturat që në disa zona kanë kaluar 40 gradë Celsius.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pothuajse, në të gjitha qytetet e mëdha të vendit janë në fuqi aktualisht alarmet e kuqe, për shkak të rrezikut shëndetësor që paraqet i nxehti ekstrem. Ndërkohë, niveli i ujit në lumin Po, më i gjati në Itali, ka rënë ndjeshëm. Temperaturat e larta pritet të vijojnë deri në mesin e muajit.

Burimi: Bota Sot