Te Bayerni shumë shpejt do të nisin bisedimet për rinovimin e kontratës së Harry Kane. Kjo është ajo që theksohet në disa media gjermane në lidhje me këtë çështje me sulmuesin anglez që ka me kampionët e Bundesligës një kontratë që skadon në qershor të 2027.
Aktualisht kapiteni i Anglisë është me pushime me familjarët e tij në Karaibe pas botërorit dhe do të bashkohet me skuadrën bavareze pas turneut aziatik që po zhvillon Bayerni i Mynihut.
Pavarësisht zërave që kanë qarkulluar për një largim të tij nga Gjermania, Kane nuk e mendon të lërë Bayernin dhe është gati të zgjasë qëndrimin e tij në Allianz Arena Sipas të përditshmes ‘Bild’, pika e parë e diskutimeve nuk do të jetë paga, me futbollistin që me kontratën aktuale përfiton rreth 25 milionë euro në sezon dhe që do të vazhdojë të jetë në grupin e lojtarëve më të paguar.
Problemi i vërtetë në këto negociata në fakt do të jetë kohëzgjatja e kontratës së re; propozimi i parë i Bayernit është minimumi deri në 2029, ndërsa personat rreth sulmuesit kërkojnë një marrëveshje që të lejojë atë të luajë në nivelin maksimal deri në 2030.
Bisedimet do të zhvillohen mes drejtuesve të Bayernit, Max Eberl e Jan-Christian Dreesen dhe babait e vëllait të Kane që janë edhe agjentët e futbollistit. Vlen të kujtohet se sezonin e kaluar shfaqën interesin e tyre Barcelona dhe Al Hilal, por futbollisti nuk e mendoi kurrë largimin e tij nga Bavaria.
Po kështu nuk mendohet as kthimi te Tottenham pasi prioritet i Harry Kane është të vijojë të fitojë tituj me Bayernin e Mynihut dhe të arrijë sukses me kombëtaren angleze.
