Izraeli përballet me largim rekord të profesionistëve dhe qytetarëve

0%

Izraeli po përballet me një valë rekord largimesh të qytetarëve me arsim të lartë dhe të ardhura të mira, ndërsa numri i emigrimeve është pothuajse dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit. Rritja më e madhe është regjistruar gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Sipas të dhënave të Departamentit për Planifikim dhe Ekonomi të Administratës Tatimore të Izraelit, në mesin e personave që po largohen nga vendi janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale profesionistët e sektorit të teknologjisë dhe shëndetësisë, duke e thelluar më tej problemin e largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Analiza tregon se deri në vitin 2019, qytetarët që largoheshin nga Izraeli paguanin mesatarisht rreth 500 milionë shekelë (166 milionë dollarë) në vit si tatim mbi të ardhurat para emigrimit. Në dy vitet e fundit, kjo shumë është rritur në rreth 1.2 miliard shekelë (398.4 milionë dollarë) në vit, raportojnë mediat .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në të njëjtën kohë, të ardhurat mesatare të emigrantëve, të cilat më parë ishin afërsisht në nivelin e mesatares kombëtare, sot janë rreth 50 për qind më të larta. Të ardhurat mesatare vjetore të qytetarëve që largohen nga vendi janë rritur nga 125 mijë shekelë (41,500 dollarë) në periudhën 2015-2019, në rreth 200 mijë shekelë në vitin 2024.

“Bazuar në të gjithë treguesit që lidhen me izraelitët që janë larguar së fundmi nga vendi, është e qartë se ritmi i emigrimit është rritur ndjeshëm te shtresat më të fuqishme dhe më të pasura të shoqërisë, ndërsa te qytetarët me të ardhura më të ulëta shkalla e largimeve ka mbetur pothuajse e pandryshuar”, thanë autorët e studimit, Ariel Greizaz dhe Nili Ben-Tovim.

Ata paralajmërojnë se, nëse ky trend vazhdon, Izraeli mund të humbasë rreth 3.5 miliardë shekelë (1.16 miliard dollarë) të ardhura nga taksat çdo vit gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo përbën një sfidë serioze për buxhetin, pasi 20 për qind e qytetarëve më të pasur sigurojnë deri në 92 për qind të të ardhurave totale nga tatimi mbi të ardhurat, shkruan timesofisrael .

Shqetësim të veçantë paraqet fakti se vendin po e braktisin gjithnjë e më shumë punëtorë në të 40-at dhe 50-at e tyre, pra pjesa më produktive e fuqisë punëtore.

Meqë sektori i teknologjisë përbën një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe më shumë se gjysmën e eksporteve totale të Izraelit, ekspertët paralajmërojnë se largimi i profesionistëve të kualifikuar rrezikon drejtpërdrejt themelet e ekonomisë kombëtare.

Një studim paralel i Universitetit të Tel Avivit tregon se rreth 50 mijë qytetarë izraelitë janë larguar nga vendi çdo vit gjatë tri viteve radhazi, deri në vitin 2025. Si arsyet kryesore përmenden konfliktet e zgjatura ushtarake dhe paqëndrueshmëria politike.

Ekonomisti Dan Ben-David ka paralajmëruar se largimi i vazhdueshëm i kapitalit njerëzor kyç mund të krijojë një rreth vicioz, nga i cili vendi do ta ketë të vështirë të rikuperohet.

Burimi: Telegrafi