Skrapari dhe Kosova

0%

“Vëllezër! Europa nuk dëshiron të shohë një Shqipëri të lulëzuar në kufijtë etnikë të saj. Mblidhni mendjen se themelet e Shqipërisë do t’i vendosim vetë.” Riza Cerova, , artikull në gazetën “Politika”.

Skrapari është një krahinë e Shqipërisë, e cila ka nxjerrë burra e patriotë të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, të Kuvendit të Vlorës, të Kongresit të Lushnjës, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe për arsimin e diturinë; patriotë që kanë kontribuar aq shumë për Çështjen Kombëtare Shqiptare; patriotë që kanë marrë pjesë me pushkë dhe penë për atdheun, për Shqipërinë etnike; patriotë që kanë qenë gjithmonë në kohën e duhur dhe kur ka pasur nevojë atdheu, si në mbrojtjen e Vlorës, në Luftën e Vlorës, në Kongresin e Lushnjës dhe në pjesëmarrjen në Luftën Nacionalçlirimtare kundër nazifashizmit.

Patriotët e Skraparit gjithmonë kanë vënë interesin kombëtar mbi atë personal, klanor e krahinor; janë shembull i unitetit kombëtar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Figurat e mëdha patriotike të Koprenckajve, Xhelal, Ali, Sami etj., nga Skrapari heroik, dhe atyre të Kosovës kreshnike, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., kanë kontribuar shumë me veprimtarinë e tyre në ngjarjet më të rëndësishme atdhetare dhe politiko-ushtarake për mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, trojeve shqiptare dhe për Shqipërinë etnike.

Patriotët e Skraparit gjithmonë kanë pasur lidhje shpirtërore me Kosovën. Lidhja patriotike e Skraparit me Kosovën vërtetohet edhe nga faktet se abetaren e parë në Skrapar e ka sjellë një shqiptar nga Kosova, mësuesi atdhetar Idriz Novokazi nga Gjakova, si dhe tjetri, një bashkëluftëtar i Bajram Currit, Qamil Luzha, ka qenë Kryetar Komune në Skrapar.

Ka në Skrapar edhe një dëshmor nga Kosova, komandanti Xheladin Beqiri, Karadaku; fakte këto që njihen. Prandaj duhet domosdoshmërisht që të rishkruhet historia dhe të zënë në të vendin që meritojnë patriotët e vërtetë, që, për fat të keq, historia i ka lënë anash. Unë, Skënder Sadri KAPITI, vij nga një familje me tradita dhe me kontribute atdhetare e nacionaliste nga Kosova.

Për Skraparin, për patriotët dhe për traditat e skraparlinjve fillimisht më ka treguar babai im, Sadri KAPITI, i cili gjatë kohës së Mbretërisë së Zogut ka pasur shumë miq dhe shokë. Kur zogistët kishin vrarë patriotin e madh Hasan Prishtina, ai këtë lajm e mësoi prej skraparlinjve, të cilët ia treguan atij të përlotur nga kjo ngjarje.

Babai më ka treguar, që kur isha fëmijë, për patriotin e madh Riza Cerova si bashkëpatriot i Bajram Currit; për nacionalistin Prof. Abas Ermenji dhe më ka treguar se traditat e Skraparit dhe zakonet e asaj krahine, si shenjtëria e familjes dhe e fisit, burrëria, ndershmëria, patriotizmi, besa dhe mikpritja, janë njëlloj si ato të Kosovës.

Kjo ndoshta mund edhe të jetë një lidhje e shumëkahershme, e shekujve më parë, ku ka pasur lëvizje të popullsisë dhe familjeve shqiptare brenda trojeve shqiptare për arsye të ndryshme, e sidomos si pasojë e barbarisë, dëbimeve dhe gjenocidit sllavo-serb mesjetar në Kosovë.

Babai im ka qenë invalid i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjë e cila na ka mundësuar që ne, bijtë e tij, të njohim patriotin e Skraparit, Qemal Mançe, ish-kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës Nacionalçlirimtare, Dega Durrës, si një personalitet babaxhan, zemërgjerë, shembull fisnikërie e besnikërie, patriotizmi, urtësie, komunikimi, tolerance dhe ndjesie të lartë shpirtërore e krenarie kombëtare.

Qemal Mançe ka qenë mik i yni. Edhe pse në moshë të thyer, ai tregonte e vepronte me një dashuri të madhe për Kosovën dhe për Luftën e UÇK-së.

Ai na ka inkurajuar shumë për mobilizimin e vullnetarëve të UÇK-së te qendra e mobilizimit të vullnetarëve të saj, te Drenica e Durrësit, dhe në organizimet festive e përkujtimore të festave kombëtare e patriotike të Pavarësisë së Shqipërisë e të Kosovës, të Epopesë së UÇK-së, te kjo qendër mobilizimi kryesore, te lokali i Gani KAPTIT.

Ai, për kontributin e familjes sonë dhe për historikun e qendrës së mobilizimit të vullnetarëve të UÇK-së, i ka propozuar në emër të Shoqatës së Veteranëve të LANC-it, Dega Durrës, institucioneve më të larta shtetërore e vendore të Shqipërisë që “Drenica” e Durrësit e Kapitëve të shpallet shtëpi-muze dhe familja e Sadri Kapitit të dekorohet.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”. Qemal Mançe, së bashku me Shoqatën e Invalidëve të Luftës Çlirimtare Shqiptare, Dega Durrës, ka bërë vizita në Prekazin e Jasharajve dhe në Gllogjan menjëherë pas çlirimit të Kosovës.

Nga patriotët e Skraparit përmendim edhe nacionalistin dhe Kosovëdashësin e madh, Profesor Abas Ermenji, i cili, kur u kthye në Shqipëri pas rënies së komunizmit, si kauzë të tij kishte, ashtu siç e ka pasur gjithmonë, Bashkimin Kombëtar, Shqipërinë etnike dhe lirinë e Kosovës, aq sa shumë nga ata që i takonte atëherë thonin nëpër buzë se këtij i paska mbetur ora te Kosova.

Profesor Ermenji ka lënë një vepër historike me titull “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, e cila është vepra më e saktë, më shkencore, edukative, me të vërteta nacionaliste dhe akademike e botuar deri më sot. Këtë histori duhet ta mësojnë shqiptarët dhe jo historitë e deformuara e të mbushura plot me gënjeshtra ideologjike dhe politike.

Është një histori që përfshin të gjitha trojet shqiptare, të gjitha luftërat e ngjarjet që kanë ndodhur kudo në trojet shqiptare; është historia e vërtetë dhe jo ajo histori e shkruar nga të huajt, siç është në tërësi historia që kanë mësuar deri më sot shqiptarët.

Një tjetër personalitet që i është përkushtuar Çështjes së Kosovës dhe Shqipërisë Etnike është shkrimtari patriot Ilir Teki Malindi, me kryeveprën e tij “Kosova është imja”.

Në këtë libër autori e trajton në aspektin historik, në atë se Kosova është djepi i shqiptarizmit dhe se atje janë zhvilluar ngjarjet më të mëdha kombëtare, por ai është një libër edhe filozofik, analitik, akademik dhe shkencor, ndoshta unik në llojin e vet, i cili sfidon gjithë akademinë serbe antishqiptare, gënjeshtare dhe mashtruese.

Një vepër e cila shërben si leksion edhe për akademitë shkencore të Prishtinës dhe Tiranës, në të cilat janë zgjedhur individë jokompetentë dhe preferencialë të politikës dhe të pushtetit. Është një vepër e cila ka kërkuar një punë përkushtimore, të mundimshme dhe të lodhshme, në shërbim të lënies së një trashëgimie të vyer historiko-patriotike e shkencore. Z.

Malindi është edhe një veprimtar i palodhur për Çështjen Kombëtare, i cili ka marrë pjesë kudo ku janë mbajtur takime, simpoziume dhe aktivitete në shërbim të Çështjes Kombëtare.

Një vend të veçantë për kontribute kombëtare zë edhe letërsia me tematikë patriotike e kombëtare e Akademikut të madh nga Skrapari, ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe, më herët, edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili, së bashku me shoqatën e shkrimtarëve të drejtuar prej tij, në prill të vitit 2000 bënë vizitë në Muzeun e Luftës së UÇK-së, ngritur te Drenica e Durrësit.

Bënë vizitë me rastin e njëvjetorit të çlirimit të Kosovës, ku ai shprehej se: “Drenica e Durrësit është shtëpi lirie, tempull atdhetarie që pagëzohet sot nga shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë.” Ky takim akademikësh, shkrimtarësh dhe artistësh, i drejtuar nga Akademiku Xhevahir Spahiu, e ndërshqiptarizoi akoma më shumë këtë vend, nga i cili buroi edhe jetësimi i Çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar.

“Paskëtaj duket deti, dhe deti është liri, është kulturë, është Europë”, citohet dhe thuhet nga akademiku nga Skrapari. Çështjen Kombëtare Shqiptare dhe luftën e Kosovës e ka mbështetur me poezi dhe publicistikë edhe poeti e shkrimtari nga Skrapari, Xhevahir Cirongu, i cili shquhet për poezinë e tij kushtuar sidomos vendlindjes së tij, Skraparit, dhe më gjerë, botës shqiptare.

Ai ka shumë miq e shokë intelektualë nga Kosova dhe është mjaft i pranishëm dhe i vlerësuar në Kosovë, ku ai ftohet e merr pjesë në aktivitete të ndryshme letrare që mbahen atje.

Burimi: Bota Sot