Mark Markez thotë se nuk ndien presion shtesë, pavarësisht se është rikthyer si një pretendent i vërtetë për titullin e MotoGP këtë sezon. Piloti spanjoll këmbëngul se fitimi i një tjetër kampionati nuk do t’ia ndryshojë jetën.
Pas vështirësive të mëdha fizike në fillimin e sezonit 2026 dhe mungesës në dy gara për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale, Markez ka realizuar një rikthim mbresëlënës me Dukatin zyrtar, duke fituar tri nga katër garat e fundit të kampionatit.
Ky rikthim i fuqishëm ka fshirë një disavantazh prej 100 pikësh dhe e ka ngjitur atë në vendin e tretë të renditjes, vetëm 18 pikë larg liderit të kampionatit, Horhe Martin.
Me disa nga rivalët e tij që po vuajnë për qëndrueshmëri në rezultate, shumë njerëz tashmë e konsiderojnë spanjollin favorit për të fituar titullin e tetë në MotoGP dhe të dhjetin botëror këtë vit, një më shumë se Valentino Rosin.
Por piloti 33-vjeçar e ka minimizuar rëndësinë e shtimit të një tjetër titulli në karrierën e tij, pasi tashmë ka realizuar një rikthim të suksesshëm pas dëmtimeve të rënda në Xerez në vitin 2020, duke triumfuar në kampionat në Japoni sezonin e kaluar.
Në vend të kësaj, ai pret që disa prej rivalëve të tij të rrezikojnë më shumë në fazën vendimtare të kampionatit, me pilotë si Marko Bezeki, Ai Ogura dhe Fabio Di Xhanantonio, të cilët ende nuk kanë fituar një titull në kategorinë kryesore. “Pesë pilotë brenda 24 pikëve.
Nisim nga zero. 24 pikë janë pothuajse asgjë”, tha Markez përpara garës në Silverstone. – “Është më mirë të kesh atë avantazh që unë nuk e kam. Por është e vërtetë që jemi pesë pilotë që luftojmë për kampionatin. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, të gjejmë mënyrën më të mirë për të qenë në formën optimale deri në fund.
Është e vërtetë që në atë grup pilotësh ka tre që po luftojnë për titullin e tyre të parë botëror në MotoGP. Nëse bëhesh kampion bote, kjo do të të ndryshojë jetën në të ardhmen. Jeta ime nuk do të ndryshojë nëse fitoj edhe një kampionat apo jo. Por për ta, po. Kjo do të thotë se ata do të japin shumë intensitet.
E them kështu sepse duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi ata do të shtyjnë fort”, tha ai. Mes pretendentëve kryesorë për titull, vetëm Markez dhe Martin kanë përjetuar më parë dhe kanë fituar një betejë për kampionatin në MotoGP. Markez tha se dëshiron të përfitojë nga “shansi i dytë” që i është dhënë nga rivalët e tij, por nuk ndien peshën e pritshmërive mbi vete.
“Nëse i pyet ata, do të thonë se favoriti është ai që ka më shumë kampionate. Sepse është më e lehtë të mos kesh presionin e favoritit për titull sesa ta kesh atë”, tha Markez. – “Por duke folur sinqerisht, nuk e ndiej presionin, sepse ambicia ime është e njëjtë. Do të provoj, por një tjetër kampionat ose jo nuk do të ndryshojë jetën time në të ardhmen. Për ta mund të ndryshojë.
Kështu që, duke e thënë këtë, ata do të shtyjnë fort. Janë pilotë shumë të mirë dhe ne do të përpiqemi të luftojmë me ta. Ata më kanë dhënë një shans të dytë. Unë isha plotësisht jashtë loje. Me një avantazh prej 100 pikësh, nëse lideri do të kishte bërë një punë vetëm mesatare, nuk do të kisha mundur ta kapja. Do të përpiqemi të përfi tojmë nga kjo mundësi.
Do të luftojmë deri në fund”, mbylli Markez.
