Fatlum Berisha tërhiqet nga referimi aktiv

0%

Fatlum Berisha është tërhequr nga referimi aktiv në futboll. Vet Berisha ka konfirmuar se nuk do të jetë refer, vendim që nuk e kishte të lehtë të merrte. “Pas 24 viteve në referimin e futbollit në Kosovë dhe që nga viti 2017 si Asistent Ndërkombëtar me stemën e FIFA-së, ka ardhur momenti të përfundoj karrierën time si refer aktiv.

Ka qenë një rrugëtim i mbushur me sfida, sakrifica, krenari dhe emocione të paharrueshme. Kam pasur nderin të jem pjesë e shumë ndeshjeve, të përfaqësoj futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ta mbaj me krenari stemën e vendit tim.

Nga zemra falënderoj të gjitha institucionet udhëheqëse të Federatës të Futbollit të Kosovës, nga fillimi i karierës time e deri më sot, për besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Mirënjohje të veçantë për të gjithë anëtarët e Komisionit të Referëve ndër vite, të cilët kanë qenë pjesë e rrugëtimit dhe zhvillimit tim profesional.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Falënderoj klubet, futbollistët, trajnerët, kolegët e mi referë e asistentë, delegatët, vëzhguesit, dhe mbi të gjitha tifozët, të cilët i japin kuptim futbollit. Çdo ndeshje, çdo sfidë dhe çdo përvojë ka qenë një mësim i çmuar për mua. Një falënderim i veçantë i takon familjes sime, e cila më ka qëndruar pranë në çdo moment, duke përballuar sakrificat dhe mungesat që ky profesion kërkon.

Edhe pse po largohem nga fusha si refer aktiv, dashuria ime për referimin nuk përfundon këtu. Përkundrazi, tani fillon një mision edhe më i madh. Do të jap gjithçka nga vetja, me të njëjtin pasion, përkushtim dhe përgjegjësi, për zhvillimin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj të referëve.

Besoj se investimi te të rinjtë është garancia më e madhe për një të ardhme më të mirë të futbollit tonë dhe do të jem gjithmonë pranë tyre për t’ua përcjellë përvojën, dijen dhe vlerat që kam fituar gjatë këtyre 24 viteve. Largohem nga fusha me kokën lart, krenar për gjithçka që kam arritur dhe mirënjohës për çdo njeri që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Faleminderit të gjithëve për besimin, respektin dhe mbështetjen. Njëherë refer, gjithmonë në shërbim të futbollit”, ka njoftuar Fatlum Berisha.

Burimi: Bota Sot