Kurti ftoi kreun e Aleancës në takim për konstituimin e

0%

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duke e ftuar në takim për të diskutuar konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

Në letrën drejtuar Gjinit, Kurti ka uruar deputetët e Aleancës për dhënien e betimit, ndërsa ka theksuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet forcave politike për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit.

“Konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit) kërkon bashkëveprim e bashkërendim të të gjithë neve. Pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim”, ka shkruar Kurti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ka propozuar që takimi të mbahet të premten në orën në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa ka ofruar edhe mundësinë që të udhëtojë në Gjakovë për t’u takuar me Gjinin. “Andaj ju ftoj që të takohemi sot pasdite në ora në Zyrën e Kryeministrit. Po ashtu, në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë”, ka shkruar Kurti.

Megjithatë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka refuzuar ftesën, duke thënë se qëndrimet e Aleancës lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të ditura më herët. “Qëndrimet e Aleancës dhe të miat në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta më shumë se një herë.

Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje”, ka deklaruar Gjini. Kreu i Aleancës ka thënë se, ndonëse pajtohet se demokracia kërkon bashkëpunim, nuk pajtohet me rrugën politike të ndjekur nga Kurti.

“Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë”, ka shkruar Gjini. Në fund të përgjigjes së tij, Gjini ka shprehur dyshimin se ftesa e Kurtit mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një narrativë për mungesë bashkëpunimi nga opozita.

“P.S. këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të rradhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim”, ka shkruar Gjini. Ndërkaq, Kurti në letrën e tij ka theksuar se Vetëvendosje mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim me Aleancën.

“Mund të llogarisni çdo herë në komunikim të rregullt dhe bashkëpunim kolegial me ne për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com