Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, duke e ftuar në një takim për të diskutuar konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
Në letrën e tij, Kurti i uroi deputetët e Aleancës për dhënien e betimit dhe theksoi se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, Kryesisë, Qeverisë dhe Presidentit kërkon bashkëpunim ndërmjet forcave politike. Ai propozoi që takimi të mbahej të premten në orën në Zyrën e Kryeministrit, duke ofruar edhe mundësinë që të udhëtonte vetë në Gjakovë.
Megjithatë, Gjini e refuzoi ftesë duke thënë se qëndrimet e Aleancës për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta disa herë dhe se nuk sheh nevojë për një takim.
Në përgjigjen e tij, kreu i Aleancës vlerësoi se rruga politike që po ndjek Kurti është “e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën”, ndërsa shtoi se e sheh ftesën si një përpjekje për të krijuar përshtypjen e mungesës së bashkëpunimit nga ana e opozitës.
Më poshtë letra e Albin Kurtit: I nderuari Kryetar i Aleancës, Ardian Gjini Ju uroj të gjithë deputetëve të Aleancës dhënien e betimit dje për përfaqësim me dinjitet të popullit, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, në shërbim të interesit publik dhe të drejtave të njeriut. Uroj që punët parlamentare t’ju shkojnë mbarë, dhe sfidat politike t’i kaloni sa më lehtë.
Mund të llogarisni çdo herë në komunikim të rregullt dhe bashkëpunim kolegial me ne për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë. Konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit) kërkon bashkëveprim e bashkërendim të të gjithë neve.
Pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim. Andaj ju ftoj që të takohemi sot pasdite në ora në Zyren e Kryeministrit. Po ashtu, në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë. Me shpresë në përgjigje pozitive ju përshëndes.
Me nderime, Albin Kurti Përgjigja e Ardian Gjinit: Pergjigja e Ardianit: I nderuar kryetar i Vetëvendosjes Albin Kurti, Qëndrimet e Aleancës dhe të miat në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta më shumë se një herë. Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje.
Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë. P.S. këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të rradhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim. Me respekt, Ardian Gjini
