Komuna e Istogut ka njoftuar se është përuruar zyrtarisht Qendra e Mjekësisë Familjare në Gurrakoc, një investim që synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e kësaj ane .
Në ceremoninë e përurimit, prerjen e shiritit e bënë kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, drejtori i Shëndetësisë, Fisnik Shoshaj, si dhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava. Sipas njoftimit të komunës, ky projekt është realizuar falë donacionit nga Shteti i Kuvajtit, me ndërmjetësimin dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Me funksionalizimin e kësaj qendre, shërbimet shëndetësore pritet të jenë më afër qytetarëve, duke ofruar kushte më të mira për kujdesin parësor shëndetësor. Komuna e Istogut ka shprehur mirënjohje për donatorët nga Shteti i Kuvajtit dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.
