Trajneri i Hibernianit, David Gray, u shpreh i kënaqur që skuadra e tij gjeti mënyrën për të shënuar në minutat e fundit dhe për të fituar me rezultat 2:1 ndaj Shkëndijës, duke siguruar një avantazh minimal para ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet të enjten e ardhshme në Shkup.
Ai vlerësoi karakterin e futbollistëve të tij, duke theksuar se pritjet para takimit se Hiberniani do ta mposhtte lehtësisht dhe bindshëm nënkampionin e Maqedonisë së Veriut nuk ishin reale. “Nuk mund të dal para jush dhe të them se jam i pakënaqur apo se duhej të fitonim me tre, katër ose pesë gola diferencë, sepse kjo thjesht nuk është reale.
As nuk luajtëm aq mirë sa ta meritonim një fitore të tillë. Jam i lumtur për fitoren, por është fakt se kemi ende shumë punë për të bërë. Më pëlqeu karakteri i skuadrës, mënyra se si dominuam në dhjetë minutat e fundit dhe arritëm të shënonim golin e fitores. Më zhgënjeu mënyra se si e pësuam golin dhe kjo është diçka që duhet ta përmirësojmë.
Jam i kënaqur që fituam, por e dimë se ky ishte vetëm akti i parë. Na pret ndeshja e kthimit në Maqedoni, ku do të duhet të luajmë edhe më mirë nëse duam të kualifikohemi në raundin tjetër”, deklaroi Gray.
