Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa dhe dronë të kryer nga rebelët Huthi ndaj qytetit Marib, në qendër të Jemenit. Lajmi është bërë i ditur nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Qasim Buhaibeh, ka bërë të ditur se bilanci i viktimave mbetet paraprak.
Sipas autoriteteve, sulmi ka goditur zona të banuara dhe kampe ku strehohen persona të zhvendosur brenda vendit. Pas sulmit, institucionet shëndetësore janë vendosur në gatishmëri të shtuar për përballimin e situatës. Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes së Jemenit deklaroi se forcat e saj kishin rrëzuar disa dronë të lëshuar nga rebelët Huthi mbi Marib.
Deri më tani, grupi Huthi nuk ka reaguar ndaj akuzave të qeverisë. Sulmi vjen në një kohë kur përplasjet në disa zona të frontit janë rikthyer që nga fillimi i korrikut, duke shkaktuar dhjetëra viktima në të dyja anët. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
