​Turqit po e “pushtojnë” Kosovën, në qershor erdhën rreth 4 mijë, 36%

0%

Mbi 70 mijë vizitorë kanë qëndruar në hotelet e Kosovës gjatë qershorit të këtij viti, duke shënuar rritje prej 10.6 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara të premten nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 70 mijë e 234 vizitorë, prej të cilëve 28 mijë e 638 ishin vendorë dhe 41 mijë e 596 të huaj. Në qershor të vitit 2025, numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele ishte 63 mijë e 502. Rritje është shënuar edhe te numri i net-qëndrimeve.

Gjatë qershorit janë regjistruar 163 mijë e 739 të tilla, krahasuar me 138 mijë e 941 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Prej tyre, 85 mijë e 783 apo 52.4 për qind u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 77 mijë e 956 apo 47.6 për qind nga ata vendorë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sa u përket vetëm vizitorëve të huaj, numri i tyre është rritur për 5.2 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025, nga 39 mijë e 555 në 41 mijë e 596. Numri më i madh i vizitorëve të huaj erdhi nga Shqipëria. Gjatë qershorit, hotelet në Kosovë pritën 7 mijë e 628 vizitorë nga ky shtet, 13 për qind më shumë se një vit më parë.

Pas Shqipërisë renditet Gjermania me 4 mijë e 300 vizitorë, Turqia me 3 mijë e 979 dhe Zvicra me 3 mijë e 121. Rritja më e madhe në mesin e këtyre vendeve është regjistruar te vizitorët nga Turqia. Numri i tyre u shtua për 36.4 për qind, nga 2 mijë e 917 në qershor 2025 në 3 mijë e 979 në qershorin e këtij viti.

Edhe më e theksuar ishte rritja e net-qëndrimeve të vizitorëve nga Turqia, me 72.1 për qind. Ata realizuan 7 mijë e 989 net-qëndrime, krahasuar me 4 mijë e 642 një vit më parë. Vizitorët nga Shqipëria ndërkaq realizuan 16 mijë e 644 net-qëndrime, apo 41.9 për qind më shumë krahasuar me qershorin e vitit 2025.

Burimi: Bota Sot