Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke thyer rekorde temperaturash dhe duke shkaktuar probleme serioze në disa vende. Sllovakia regjistroi një rekord të ri kombëtar, me temperaturën që arriti në 42 gradë Celsius në zonën e Dolné Plachtince.
Edhe Austria dhe Hungaria raportuan temperatura jashtëzakonisht të larta, ndërsa autoritetet po përballen me pasojat e thatësirës së zgjatur. Në Poloni, temperaturat e larta dhe niveli kritik i ulët i ujit në lumin Vistula detyruan autoritetet të mbyllnin përkohësisht dy termocentrale me qymyr, Kozienice dhe Połaniec.
Ndërprerja hoqi rreth 1.3 gigavat kapacitet energjetik nga sistemi elektrik i vendit. Kryeministri polak Donald Tusk u ka bërë thirrje punëdhënësve të marrin masa për mbrojtjen e punonjësve gjatë valës së të nxehtit, duke siguruar ujë të ftohtë dhe ambiente të freskëta.
Në Gjermani, aktivistët e klimës protestuan përpara kancelarisë, duke kërkuar më shumë masa për përballimin e temperaturave ekstreme. Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch, rreth 11 900 persona kanë humbur jetën këtë verë si pasojë e nxehtësisë. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat rekord, thatësira dhe mungesa e reshjeve po rrisin rrezikun e zjarreve në të gjithë kontinentin.
Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, rreth 500 mijë hektarë tokë janë djegur në Bashkimin Evropian që nga fillimi i vitit, kryesisht në Spanjë dhe Francë. Situata është veçanërisht e rëndë edhe në Austri, Çeki dhe Sllovaki, ku kushtet e favorshme për zjarre kanë tejkaluar rekordet e mëparshme për këtë periudhë të vitit.
Ekspertët e mjedisit thonë se vala ekstreme e të nxehtit dhe thatësira janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike dhe paralajmërojnë se infrastruktura energjetike dhe burimet ujore do të përballen gjithnjë e më shumë me presion në vitet e ardhshme.
