Kombëtarja e Francës ka marrë tri pikët e para në Kupën e Botës 2026, pasi mposhti Senegalin me rezultat 3-1 në ndeshjen hapëse të Grupit I. Pas një pjese të parë pa gola, dhe me raste jo edhe aq të mira, “Gjelat” rritën ritmin në fraksionin e dytë. Franca gjeti avantazhin në minutën e 66-të, pas një aksioni të ndërtuar bukur nga francezët, me Kylian Mbappé pranoi një pasim perfekt brenda zonës nga Michael Olise dhe realizoi me një goditje të saktë për 1-0. Senegali mendoi se kishte barazuar vetëm dy minuta më vonë me Nicolas Jackson, por goli i sulmuesit u anulua për pozitë jashtë loje. Franca vazhdoi dominimin dhe në minutën e 82-të dyfishoi epërsinë. Adrien Rabiot asistoi bukur për Bradley Barcola, i cili e kaloi me mjeshtëri portierin Edouard Mendy dhe shënoi për 2-0. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Senegali riktheu shpresat në minutën e 90+5. Ibrahim Mbaye realizoi pas një aksioni individual të shkëlqyer, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Megjithatë, gëzimi i afrikanëve zgjati shumë pak. Vetëm një minutë më vonë, në kohën shtesë, Mbappé vulosi fitoren e Francës me një supergol nga 25 metra. Sulmuesi francez goditi fuqishëm nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë, duke lënë pa reagim Mendy-n për rezultatin përfundimtar 3-1. Ylli i Francës e mbylli ndeshjen me dy gola dhe ishte pa dyshim protagonisti kryesor i sfidës, duke i dhënë një deklaratë të fortë Botërorit që në ndeshjen e parë. Franca kështu merr kryesimin e grupit dhe konfirmon statusin e saj si një nga favoritët kryesorë për trofeun. / Telegrafi/ France – Senegal Live Score
Franca e nis me fitore, Mbappe shkëlqen me dy gola – ai në fund të ndeshjes ishte i jashtëzakonshëm

Burimi:
Telegrafi