Në kohën kur zbulimi i varreve të reja masive në Kosovë ka rikthyer në vëmendje kërkesat për drejtësi për viktimat e luftës, profesori i së drejtës penale ndërkombëtare, William Schabas, ka sqaruar se, ndonëse Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kenë juridiksion teorik në rrethana të caktuara, është sistemi gjyqësor i Kosovës ai që duhet të trajtojë rastet kur të dyshuar janë pjesëtarë të forcave serbe.
Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Schabas u pyet nëse zbulimi i varreve të reja masive dhe krimet që mund të përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare mund të hetohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe cilat mekanizma ligjorë mbeten në dispozicion për familjet që ende presin drejtësi.
Ai shpjegoi se, nga pikëpamja juridike, ekziston mundësia teorike që Dhomat e Specializuara të kenë juridiksion mbi raste të tilla, por kujtoi se qëllimi për të cilin u krijua kjo gjykatë ishte krejtësisht tjetër.
“Në parim, Dhomat e Specializuara mund të ndjekin penalisht krimet e kryera nga shtetas të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, apo krimet ku viktimat ishin shtetas të Kosovës ose RFJ-së, me kusht që ato të kenë ndodhur ndërmjet janarit 1998 dhe dhjetorit 2000. Në teori, pra, ato mund të kenë juridiksion” , është shprehur Schabas.
William Schabas Megjithatë, ai theksoi se arsyeja e themelimit të kësaj gjykate lidhej me hetimin e pretendimeve për krime të kryera nga udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më vonë morën pozita në institucionet e Kosovës.
“Dhomat e Specializuara u krijuan për të trajtuar krimet që dyshohej se ishin kryer nga udhëheqës të UÇK-së, të cilët më pas u bënë pjesë e qeverisë së Kosovës dhe që nuk ishin trajtuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Vlerësimi ishte se këto raste nuk do të hetoheshin kurrë nga sistemi vendor i drejtësisë” , ka deklaruar ai.
Duke folur për rastet kur autorë të dyshuar janë pjesëtarë të forcave serbe, Schabas vlerësoi se situata juridike është ndryshe dhe se nuk ekzistojnë të njëjtat pengesa politike që justifikuan krijimin e Dhomave të Specializuara. “Nëse dyshohet se krimet janë kryer nga serbët, atëherë situata është ndryshe.
Në këtë rast, sistemi ligjor i Kosovës është në gjendje të ndjekë penalisht këto krime. Pengesat politike që ekzistonin në rastet që lidhen me UÇK-në nuk janë të pranishme. Prandaj, e drejta e viktimave duhet të realizohet përmes sistemit gjyqësor vendor të Kosovës”, ka theksuar profesori.
Në fund, Schabas shprehu dyshime se Dhomat e Specializuara do të zgjerojnë veprimtarinë e tyre në këtë drejtim, duke përmendur edhe koston e lartë të funksionimit të këtij mekanizmi.
“Dhomat e Specializuara përfaqësojnë një alternativë shumë të kushtueshme dhe nuk besoj se financuesit e tyre, në thelb Bashkimi Evropian, do të jenë të gatshëm të bëjnë investime të tjera për zgjerimin e mandatit të tyre”, ka përfunduar Schabas.
