Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektuan masat e sigurisë në Himarë për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.
Gjatë takimit me kryebashkiakun Vangjel Tavo, Lamallari theksoi se garantimi i sigurisë për qytetarët dhe turistët mbetet prioritet, duke vlerësuar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe pushtetit vendor. Ministri bëri të ditur se në katër muajt e fundit policia ka ndërhyrë në 67 raste për të ndihmuar turistët, duke shpëtuar mbi 200 vizitorë, ndërsa kontrollet në det janë intensifikuar.
Sipas tij, janë kontrolluar 4 220 mjete lundruese, 21% më shumë se një vit më parë, dhe janë ndëshkuar 166 shkelje që rrezikonin sigurinë e pushuesve. Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, njoftoi se këtë sezon, për herë të parë, kontrolli kufitar për jahtet dhe mjetet lundruese kryhet direkt në det nga Policia Kufitare, duke lehtësuar procedurat për turistët.
