Ambasada e Italisë në Kosovë u bëri thirrje të gjitha partive në Kosovë që të angazhohen në “dialog konstruktiv” dhe të punojnë së bashku për themelimin e institucioneve të vendit.
“ Është përgjegjësi e përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës të arrijnë kompromis në mënyrë që të sigurohen që institucionet demokratike të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të përmbushin pritjet e qytetarëve”, tha Ambasada në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Thirrja e Romës vjen pasi seanca konstituive, e nisur paraditen e së enjtes, u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti. Kurti tha se duhet kohë shtesë që partitë të arrijnë ujdi për çështjen e presidentit, teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon mesnatën e 7 gushtit.
