Korabi, nën drejtimin e trajnerit Sokol Mziu, duket se është në rrugën e duhur për të qenë gati në startin e sezonit të ri të Kategorisë së Parë. Dibranët zhvilluan ditën e djeshme një ndeshje miqësore në stadiumin “Korabi”, ku mposhtën Burrelin me rezultatin 2- 1. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Korabi kaloi i pari në avantazh falë golit të Reçit, ndërsa Burreli barazoi me Robin Hotin, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, Kuka realizoi golin e fitores për Korabin, duke shndërruar në gol një penallti të fituar nga Spahiu. Takimi u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të dibranëve.
Kjo miqësore i shërbeu trajnerit Sokol Mziu dhe stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve, si dhe për të testuar elementë të rinj, ndërsa ekipi vijon fazën përgatitore në Peshkopi. Korabi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kozi, Xhika, Laho, Allmuça, Duka, Isteri, Kuka, Gjinaj, Marku, Reçi dhe Duro.
Gjatë pjesës së dytë, trajneri Mziu aktivizoi edhe Matin, Allën, Demirajn, Vathin, Lleshajn, Bendon, Gjonin, Dedën, Isakajn, Spahiun dhe Shehun. Nga ana tjetër, Burreli është disi më prapa në fazën përgatitore krahasuar me Korabin. Për matjanët kjo ishte miqësorja e dytë, pas humbjes 4-0 në Shkodër përballë Vllaznisë.
Edhe për trajnerin Samuel Nikaj ky test ishte i vlefshëm, pasi i dha mundësinë të shohë në kushte loje futbollistët e afruar së fundmi dhe të krijojë një ide më të qartë për plotësimin e grupit në prag të sezonit të ri.
Në ditët në vijim të dy ekipet kanë planifikuar teste të tjera, si dhe mbeten në pritje të mësimit të kalendarit të sezonit të ri, ku do të mësojnë edhe kundërshtarin e premierës së sezonit 2026-2027.
