Britania e Madhe ka njoftuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke vënë në shënjestër banka, anije dhe kompani industriale që dyshohet se ndihmojnë Moskën në gjenerimin e të ardhurave për financimin e luftës në Ukrainë. Sipas Qeverisë britanike, masat e reja përfshijnë 13 objektiva dhe gjashtë përcaktime shtesë në kuadër të legjislacionit për sanksionet ndaj Rusisë.
Në listë janë përfshirë gjashtë banka ruse, gjashtë cisterna të tjera të së ashtuquajturës flotë “hije”, të përdorura për transportimin e naftës, si dhe katër kompani që importojnë tantal dhe niobium. Këto minerale të rralla përdoren edhe në prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Synimi i masave është kufizimi i të ardhurave që Rusia siguron nga eksporti i naftës, të cilat, sipas Londrës, përdoren për financimin e fushatës ushtarake në Ukrainë. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Britania ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 3 mijë e 400 individëve, entiteteve dhe anijeve të lidhura me Rusinë.
Edhe Moska ka vendosur kundërsanksione ndaj Britanisë dhe shtetasve britanikë. Në mesin e personave të shpallur të padëshiruar në Rusi është edhe profesori shqiptar në Angli, Andi Hoxhaj, anëtar i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.
Britania ka përsëritur se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën dhe shtimin e presionit ndaj Rusisë deri në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Rusia i ka cilësuar vazhdimisht sanksionet britanike si të motivuara politikisht, ndërsa deri tani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj masave të fundit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
