Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 28 vatra zjarri, prej të cilave 5 vijojnë të jenë aktive, ndërsa strukturat e emergjencave po vazhdojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre. Në terren janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së, ADZM-së dhe efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Mallakastër, në fshatrat Riban dhe Ngraçan, situata është drejt izolimit falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri. Për shkak të rrezikut, katër familje janë evakuuar përkohësisht.
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit vijon puna në zonat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar. Autoritetet bëjnë të ditur se nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e dëmtuar nga vatrat aktive ende po vlerësohet.
AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile po vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
