Veterani i luftës nuk duhet të jetë mbi ligjin e paqes

0%

Ekziston një lloj gënjeshtre shumë më e rrezikshme se gënjeshtra e zakonshme. Gënjeshtra e zakonshme thotë: „Kjo nuk është e vërtetë.“ Gjysmë e vërteta thotë diçka shumë më të sofistikuar: „Gjithçka që po të them është e vërtetë.“ Dhe pikërisht aty fillon mashtrimi.

Ai që ndërton një gjysmë të vërtetë merr një copë të së vërtetës, e bashkon me një copë heshtjeje, me një copë interesi personal, i shton pak mjegull, pak frikë, pak kujtesë të manipuluar dhe, në fund, ndërton një histori që duket më bindëse se vetë e vërteta. Sepse gënjeshtra e pastër duhet të shpiket. Ndërsa gjysmë e vërteta duhet të montohet.

Dhe ajo që montohet është gjithmonë shumë më e vështirë për t’u çmontuar. Prandaj propaganda rrallëherë e mohon të vërtetën tërësisht. Ajo bën diçka shumë më të sofistikuar: e keqpërdor një të vërtetë të vogël për ta fshehur një gënjeshtër të madhe. — KUR E KALUARA BËHET MBROJTJE PËR TË TASHMEN Kjo logjikë nuk vlen vetëm për propagandën. Vlen edhe për politikën. Sidomos për politikën.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sepse politika nuk jeton vetëm nga ajo që ka ndodhur. Ajo jeton edhe nga mënyra se si njerëzit e kujtojnë atë që ka ndodhur. Prandaj, ai që kontrollon kujtesën kolektive fiton edhe një pjesë të pushtetit mbi ndërgjegjen kolektive. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga rreziqet më të mëdha për çdo shoqëri që del nga lufta. Lufta nuk lë pas vetëm varre. Lë edhe mite. Nuk lë vetëm plagë.

Lë edhe autoritete. Nuk lë vetëm viktima. Lë edhe figura publike. Nuk lë vetëm histori. Lë edhe njerëz që, me kalimin e kohës, fillojnë ta keqpërdorin historinë si kapital politik, material, pronësor dhe monetar. Dhe pikërisht këtu fillon sprova e vërtetë e një shoqërie: jo gjatë luftës, por pas saj. Gjatë luftës pyetja është: Kush lufton?

Në paqe pyetja duhet të jetë: Si sillet ai që, falë luftës, ka fituar autoritet? Këto nuk janë të njëjtat pyetje. Dhe një shoqëri që nuk di t’i dallojë ato rrezikon ta ngatërrojë lirinë me privilegjin. — MERITA NUK ËSHTË IMUNITET Kosova ka njerëz që kanë luftuar vërtet. Ka njerëz që kanë sakrifikuar jetën, familjen, shëndetin, pasurinë dhe të ardhmen.

Ka njerëz që kanë humbur gjithçka që një njeri mund të humbasë. Dhe këtyre njerëzve shoqëria u detyrohet një borxh moral që nuk mund të matet me para, me dekorata apo me fjalime përvjetorësh. Por pikërisht sepse duhet t’i nderojmë ata, duhet të jemi të pamëshirshëm ndaj falsifikimit të sakrificës.

Sepse kur dikush që nuk ka marrë pjesë në luftë fiton statusin e veteranit për arsye politike, financiare apo klienteliste, ai nuk merr vetëm një privilegj të padrejtë. Ai vjedh një pjesë të nderit të atij që ka qenë vërtet atje. Ia merr medaljen atij që e ka paguar me gjak. E zhvlerëson sakrificën duke e shndërruar atë në monedhë politike.

Dhe kjo është një nga format më të ulëta dhe më cinike të korrupsionit moral. Prandaj duhet ta kujtojmë një parim të thjeshtë: Sakrifica është meritë. Por nuk është imunitet. Heroizmi është nder. Por nuk është leje për krim, abuzim, mashtrim, manipulim, plaçkitje apo grabitje. Uniforma është kujtim. Por nuk është certifikatë pafajësie. Medalja është vlerësim. Por nuk është vendim gjykate.

Dhe një e kaluar e lavdishme nuk e bën automatikisht të lavdishëm çdo veprim të mëvonshëm të një njeriu. Njeriu nuk është vetëm ai që ka qenë. Ai është edhe ai që është sot, pasi ka fituar pushtet, famë, para dhe ndikim. — NJË NJERI MUND TË JETË HERO DHE TË PËRGJIGJET PËR NJË KRIM Kjo është një e vërtetë që psikologjikisht është shumë e vështirë të pranohet.

Njerëzit nuk duan vetëm heronj bardhezi. Ata duan edhe përgjigje bardhezi për pyetje që janë shumë më komplekse. Sipas tyre: Heroi duhet të jetë hero. Armiku duhet të jetë armik. I miri duhet të jetë vetëm i mirë. I keqi duhet të jetë vetëm i keq. Por jeta njerëzore nuk është përrallë. Njeriu është një qenie kontradiktore.

Ai mund të ketë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme në një moment të jetës dhe një padrejtësi të rëndë në një moment tjetër. Mund të ketë qenë hero dje dhe të jetë përgjegjës për një krim sot. Të dyja mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë. Dhe njëra nuk e anulon tjetrën. Pikërisht këtë e ka të vështirë ta pranojë mendja e politizuar.

Sepse kur e kthejmë njeriun në simbol, pushojmë së shikuari si njeri. Dhe sapo një njeri bëhet simbol, çdo kritikë ndaj tij fillon të interpretohet si sulm ndaj vetë simbolit. Kështu lind një mekanizëm i rrezikshëm psikologjik: mbrojtja e njeriut shndërrohet në mbrojtje të mitit. Dhe miti, ndryshe nga njeriu, nuk pranon të hetohet. — MERITA ËSHTË MERITË. KRIMI ËSHTË KRIM.

Prandaj duhet ta mbajmë mend këtë: Merita është meritë. Krimi është krim. Merita nuk e fshin krimin. Por as akuza nuk e provon krimin. Këtu fillon drejtësia. Dhe këtu duhet të përfundojë propaganda. Propaganda thotë: „Ka qenë hero, prandaj nuk mund të ketë bërë asgjë të keqe.“ Shpifja thotë: „Dyshohet për të, prandaj duhet të jetë fajtor.“ Drejtësia thotë: Hetoni. Mblidhni prova.

Verifikoni. Gjykoni. As më shumë. As më pak. Sepse drejtësia që dënon pa prova është padrejtësi. Por edhe drejtësia që refuzon të hetojë vetëm sepse i dyshuari ka një të kaluar të lavdishme është po aq e padrejtë. — KUR HEROIZMI SHNDËRROHET NË MBUROJË NDAJ LIGJIT Problemi bëhet edhe më i madh kur meritat e luftës keqpërdoren si mburojë për privilegjet e fituara në paqe.

Nëse dikush ka luftuar për lirinë e vendit të tij, kjo meriton respekt. Por nëse më vonë abuzon me pushtetin, pasurinë publike, detyrën, ndikimin apo besimin e qytetarëve, ai duhet të përgjigjet për atë që ka bërë.

Sepse shteti nuk mund të shndërrohet në pronë private të atyre që kanë sakrifikuar gjithçka për çlirimin e tij, e aq më pak në pronë private të atyre që vetes i kanë atribuuar merita që nuk i kanë pasur kurrë. Përndryshe krijohet një paradoks tragjik: Të luftosh kundër pushtetit arbitrar dhe pastaj të kërkosh privilegje mbi ligjin.

Të luftosh për lirinë e qytetarit dhe pastaj të kërkosh liri nga përgjegjësia. Të luftosh kundër sundimit të një njeriu dhe pastaj të sillesh sikur shteti të jetë pasuria jote personale. Kjo nuk është vazhdimësi e luftës. Është shtrembërim i kuptimit të saj. Sepse liria nuk do të thotë që disa njerëz të jenë të lirë nga ligji. Liria do të thotë që ligji të jetë i barabartë për të gjithë.

Nëse një njeri është mbi ligjin sepse është hero, atëherë qytetari i zakonshëm nuk jeton në një shtet të lirë. Ai jeton në një shtet me kasta.

Dhe kasta është armike e demokracisë. — NJË SHTET NUK MUND TË JETË MË I DOBËT SE MITET E TIJ Këtu duhet të flasim edhe për pjesën më të dhimbshme të historisë sonë: vrasjet politike, dëshmitarët, dokumentet, provat, frikën, heshtjen dhe dosjet e pambyllura. Por pikërisht këtu duhet të jemi më racionalë. Sepse kur flasim për krime, emocionet nuk mund t’i zëvendësojnë provat.

Nëse dikush akuzohet për vrasje, duhet të ketë hetim. Nëse ekziston dyshimi se një krim është fshehur, duhet të kërkohen provat. Nëse dëshmitë kundërshtojnë njëra-tjetrën, ato duhet të krahasohen dhe të verifikohen. Nëse ka dëshmitarë, ata duhet të mbrohen. Nëse ka dokumente, ato duhet të ruhen. Nëse ka gjurmë financiare, ato duhet të ndiqen. Nëse ka lidhje politike, ato duhet të hetohen.

Nëse provat çojnë te një person i fuqishëm, fuqia e tij nuk duhet të bëhet arsye për ndalimin e hetimit. Dhe nëse nuk ka prova të mjaftueshme, askush nuk duhet të dënohet vetëm për shkak të urrejtjes, thashethemeve apo dëshirës për hakmarrje.

Ky është dallimi thelbësor midis drejtësisë ligjore dhe emocioneve të turmës. — ARKIVI ËSHTË MË I RËNDËSISHËM SE MITI Një shoqëri serioze duhet t’i besojë më shumë dokumentit sesa legjendës. Provës sesa famës. Dëshmisë së verifikueshme sesa thashethemit. Arkivit sesa kujtesës së manipuluar. Sepse kujtesa njerëzore nuk është kamerë. Ajo është rindërtim.

Njeriu nuk kujton gjithmonë atë që ka ndodhur. Shpesh kujton atë që i përshtatet mënyrës se si dëshiron të besojë se ka ndodhur. Dhe sa më shumë kohë të kalojë, aq më lehtë kujtesa mund të shndërrohet në mit. Prandaj: Pa dokumente kemi kujtime. Pa prova kemi akuza. Pa gjykim kemi dyshime. Pa drejtësi kemi hakmarrje.

Pikërisht për këtë arsye arkivat, dokumentet, dëshmitë dhe institucionet janë më të rëndësishme se çdo heroizëm individual. Sepse demokracia nuk mund të ndërtohet mbi atë që njerëzit pretendojnë se kanë parë. Ajo duhet të ndërtohet mbi atë që institucionet mund të provojnë. — DREJTËSIA DUHET TË JETË E DREJTË EDHE ME ARMIKUN, EDHE ME HEROIN Ky është testi më i madh i shtetit ligjor.

Është shumë e lehtë të jesh i drejtë me dikë që askush nuk e do. Është shumë më e vështirë të jesh i drejtë me dikë që e urren. Por ekziston edhe një provë tjetër: Të jesh i drejtë me dikë që të gjithë e duan. Sepse drejtësia që është e drejtë vetëm ndaj të dobëtit nuk është drejtësi. Dhe drejtësia që përkulet para të fuqishmit nuk është drejtësi.

Ligji duhet të jetë i njëjtë kur përballë tij qëndron një qytetar i zakonshëm dhe kur përballë tij qëndron një figurë historike. Përndryshe nuk kemi shtet ligjor. Kemi një hierarki privilegjesh. — KOSOVA NUK DUHET TË ZGJEDHË MES DY GËNJESHTRAVE Njëra gënjeshtër thotë: „Të gjithë heronjtë janë të pafajshëm.“ Tjetra thotë: „Të gjithë heronjtë janë kriminelë.“ Të dyja janë marrëzi.

Njëra është kultizim. Tjetra është demonizim. E vërteta është gjithmonë më e vështirë. Sepse kërkon të mendojmë. Ne duhet të jemi në gjendje të themi: Po, ky njeri ka luftuar. Dhe në të njëjtën kohë: Po, kjo akuzë duhet të hetohet. Duhet të jemi në gjendje të themi: Po, ky njeri ka merita. Dhe njëkohësisht: Nëse ekzistojnë prova për një krim, ai duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Kjo nuk e poshtëron luftën. Përkundrazi. E mbron luftën nga keqpërdorimi. Sepse një luftë e drejtë nuk ka nevojë për gënjeshtra që të mbrohet. Një heroi të vërtetë nuk i duhet një gjykatë e frikësuar. Dhe një shteti të lirë nuk i duhen qytetarë që mbyllin sytë para provave. — ÇFARË U DETYROHEMI TË RËNËVE? Kjo është pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes. Çfarë u detyrohemi të rënëve?

Nuk u detyrohemi të gjallëve imunitet. U detyrohemi të vërtetën. Çfarë u detyrohemi viktimave? Nuk u detyrohemi heshtje. U detyrohemi drejtësinë. Çfarë u detyrohemi brezave të ardhshëm? Nuk u detyrohemi mite. U detyrohemi fakte. Dhe çfarë i detyrohemi Kosovës? Një shtet ku askush nuk është aq hero sa të jetë mbi ligjin. Sepse të vdekurve nuk u nevojitet që të gjallët të gënjejnë për ta.

Atyre u nevojitet që të gjallët të mos e humbin të vërtetën për ta. — HEROI I VËRTETË NUK DUHET TË FRIKËSOHET NGA DREJTËSIA Prandaj duhet ta themi pa asnjë ekuivok: Heroi nuk është mbi ligjin. Nëse është hero, drejtësia nuk duhet ta frikësojë. Nëse është i pafajshëm, hetimi nuk duhet ta trembë. Nëse ka prova, ato duhet të shqyrtohen. Nëse nuk ka prova, ai duhet të mbrohet nga shpifja.

Kjo është e vetmja rrugë që nuk e poshtëron as viktimën, as heroin, as shtetin. Sepse një heroi të vërtetë nuk i duhet që ligji të mbyllë sytë. Atij i duhet që ligji t’i hapë sytë. — LUFTA TË JEP EMËR. PAQJA TREGON VLERËN E TIJ. Një vend nuk ndërtohet vetëm duke kujtuar se kush e çliroi. Ai ndërtohet duke vendosur se çfarë do të bëjë me lirinë që u fitua. Kjo është sprova e vërtetë.

Jo vetëm: Kush e mbajti pushkën? Por: Kush e respekton ligjin? Jo vetëm: Kush mori medalje? Por: Kush pranon të hetohet? Jo vetëm: Kush ka fotografi nga lufta? Por: Kush e respekton drejtësinë në paqe? Sepse lufta mund të të japë një emër. Por vetëm paqja tregon nëse e ke merituar atë emër. Dhe pushteti është testi më i mirë i karakterit.

Sepse në luftë njeriu tregon se për çfarë është i gatshëm të sakrifikojë. Në paqe tregon se nga çfarë është i gatshëm të heqë dorë. A është i gatshëm të heqë dorë nga privilegjet? Nga korrupsioni? Nga hakmarrja? Nga arroganca? Nga pushteti i pakufizuar? Nga ideja se e kaluara e tij i jep të drejtën të sundojë të ardhmen? Pikërisht aty matet karakteri. — PËR ÇFARË U LUFTUA?

Dhe nëse një ditë dikush përpiqet të na bindë se një njeri nuk mund të hetohet sepse ka qenë hero, duhet t’i bëjmë vetëm një pyetje: Për çfarë u luftua? Për një njeri? Jo. Për një grup? Jo. Për një parti? Jo. Për një familje? Jo. U luftua për lirinë. Dhe liria pa drejtësi është vetëm një emër tjetër për privilegjin. Prandaj: Mos e gjykoni heroin pa prova.

Por mos e mbroni heroin nga provat. Mos e shndërroni dyshimin në dënim. Por mos e shndërroni lavdinë në pafajësi. Mos e përdorni luftën për të mbuluar padrejtësitë e paqes. Por as mos e përdorni padrejtësinë e disa njerëzve për ta njollosur luftën e të gjithëve. Kjo është pjekuria. Kjo është drejtësia. Kjo është përgjegjësia morale ndaj historisë.

Dhe, mbi të gjitha: Kjo është mënyra më e ndershme për ta mbrojtur lirinë. — Sepse një shoqëri që nuk guxon t’i hetojë heronjtë e saj nuk është duke i nderuar. Ajo po i burgos brenda mitit. Dhe miti, sado i bukur të jetë, është një burg. Heroit të vërtetë nuk i nevojitet një burg i tillë. As viktimës. As drejtësisë. As Kosovës.

Prandaj historia duhet të na mësojë një gjë shumë të thjeshtë: Lufta mund ta fitojë një shtet. Por vetëm drejtësia mund ta bëjë atë shtet të denjë për lirinë. Dhe nëse duam që fëmijët tanë të trashëgojnë një Kosovë më të mirë se ajo që trashëguam ne, atëherë duhet t’u lëmë jo vetëm kujtimin e atyre që luftuan, por edhe institucione që nuk përkulen para askujt.

Sepse një shtet që nuk guxon ta zbatojë ligjin ndaj të fuqishmit, herët a vonë e humb guximin për ta mbrojtur të dobëtin. Dhe atëherë problemi nuk është më vetëm një hero. Problemi është vetë shteti. — LUFTA NA DHA LIRINË. LIGJI DUHET TË NA JAPË DREJTËSINË. DHE DREJTËSIA NUK NJEH HERO MBI LIGJIN.

Sepse, në fund, nderimi më i madh për ata që luftuan për lirinë nuk është t’u japim të gjallëve privilegje mbi ligjin. Nderimi më i madh është të ndërtojmë një vend ku asnjë njeri — sado i famshëm, sado i fuqishëm dhe sado heroik të ketë qenë dikur — nuk ka nevojë të jetë mbi ligjin për t’u ndier i sigurt. Sepse vetëm atëherë mund të themi se lufta nuk u fitua vetëm në fushën e betejës.

U fitua edhe në paqe.

Burimi: Bota Sot